Lajme

Latifi për përpilimin e listës esenciale të barnave: Pres shmangie të konfliktit të interesit


Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në takimin e parë të Komitetit kyç për përcaktimin e listës së produkteve dhe pajisjeve mjekësore ka kërkuar që lista e barnave esenciale të bëhet me kompetenca profesionale e shkencore.

Nga i gjithë ky proces ai pret që të mos ketë konflikt të interesit si dhe të ketë transparencë maksimale.

“Si ministër i Shëndetësisë pres që ky proces t’i përmbush standardet më të rëndësishme që janë e këto janë përgjegjësia maksimale prej secilit prej jush si anëtar të Komitetit, kompetencë profesionale dhe integritet, dituri shkencore  me lami në fushat tuaja dhe shmangie absolute, shmangie të 100% të konfliktit të interesit dhe transparencës maksimale,  me qëllimin  kryesor që në listë të përfaqësohen ekskluzivisht interesi klinik i pacientëve”.

Ministria e Shëndetësisë.

Sipas tij, anashkalimet që bëhën në këtë komunitet nuk do të arsyetohen.

“Çdo shmangie nga këto nuk ka vend në këtë komitet, nuk ka vend në këtë ministri dhe nuk ka vend në këtë qeveri. Jam shumë i sigurt se secili prej jush do të jap atë që e din dhe mundet duke qenë pjesë e një procesi shumë të rëndësishëm për shëndetësinë tonë. Iu bëjë me dije të gjithëve që ne do të kujdesemi që procesi të arrij të gjitha standardet dhe nga Komiteti presim të përcaktoj dinamikën e finalizimit të procesit”, u shpreh ministri i Shëndetësisë.

Ndërsa Driton Vela, i cili është edhe kryesues i Komitetit kyç të Listës së produkteve mjekësore deklaroi se lista e re do të përpilohet bazuar në transparencë dhe kapacitete shkencore.

“Për ta përpiluar një listë që i plotëson të gjitha kërkesat e vendit  sigurisht që do t’i shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet shkencore që i kemi në dispozicion. Nga neve si grup pritet që përpilimi i listës të bëhet ashtu që vendimmarrja jonë të jetë transparente e pa ndikuar nga konfliktet e interesit dhe bazuar në principet moderne të mjekësisë”.

Ai tutje ka sqaruar se si do të përfshihen barnat në këtë listë.

“Në listën e re do t’i plotësojmë edhe mangësitë e listës së vitit 2019. Prej miratimit të listës së fundit kanë kaluar më tepër se 3 vite  ka ndryshime të hovshme në mjekësi terapi të reja të cilat e kanë rritur mbijetesën ndaj sëmundjeve të caktuara dhe ne këto do t’i marrim parasysh, nëse i përfshijmë ato me argumentet shkencore direkt do të ndikojmë në  cilësinë e shëndetit të pacientëve”, u shpreh Vela.

Në Kosovë, për herë të fundit lista e barnave esenciale ishte përditësuar në vitin 2019.

Që nga paslufta, asnjëherë spitalet publike në Kosovë nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale të barnave 100 për qind. Si rrjedhojë, vazhdimisht ka pasur mungesë të tyre dhe pacientët detyrimisht janë obliguar që gjatë trajtimit t’i blejnë vetë ato.

Më 29 mars, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, zëvendësministrja Dafina Gexha si dhe drejtori i Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi në Komisionin për Mbikëqyrje Financiare janë kritikuar për mungesë të barnave, duke i detyruar pacientët që t’i blejnë vetë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka qenë ajo që ka ofruar ndihmë në zhvillimin e politikave sa i përket udhëzimit që unifikon çmimin e barnave, në mënyrë që të reduktohen shpenzimet e pacientëve për blerjen e barnave.

Për dy dekada, në Kosovë nuk ka çmim të unifikuar të barnave, sepse sipas tyre, në fuqi ka qenë një rregullore administrative, e cila nuk ka paraparë unifikimin e çmimit.

Albanian Post, më herët kishte shkruar edhe për rritjen e çmimeve në tregun farmaceutik.

Një veprim duhet ta bëjë qeveria që t’i ulë ndjeshëm çmimet e barnave në Kosovë – por nuk po e bën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore