Lajme

Latifi me ligjëratë në Kongresin e Kirurgjisë në Vjenë


Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Rifat Latifi.

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Rifat Latifi, të mërkurën ka mbajtur ligjëratë në Kongresin Botëror të Kirurgjisë në Vjenë.

Latifi ka ligjëruar me temën “Menaxhimi i lëndimeve me potencial për fatalitet dhe traumave të zemrës”.

Këtë e ka bërë të ditur ministria e Shëndetësisë përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Në këtë ligjëratë, që ishte e ilustruar me video, ai foli për menaxhimin e gjendjes kaotike që krijohet në emergjencë gjatë traumave të ndryshme dhe posaçërisht se si duhet të ndahet i gjithë procesi I menaxhimit në segmente të veçanta si në vendet me sisteme të zhvilluara shëndetësore, ashtu edhe në vendet ku mungojnë resurset e duhura si infrastruktura, përgatitja e stafit të traumës, sikurse në Kosovë”, thuhet nga MSH-ja.

Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkaq, sqarohet se gjatë ligjëratës kreu i dikasterit të Shëndetësisë ka ndarë përvojat nga ekipi i tij në menaxhimin e traumave gjatë punës si kirurg.

“Ministri Latifi tha se përmes krijimit të sistemit të traumës do të standardizohet kujdesi i gjithë lëndimeve traumatike në tërë vendin”.

Ndryshe, ministri është kritikuar për udhëtimet e tij të shpeshta jashtë vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore