Lajme

Latifi kërkon nga QKUK ngritjen e nivelit të gatishmërisë në përballje me COVID-19


Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka mbajtur takim të enjten me drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi si dhe drejtorët e klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ai ka kërkuar që të ketë gatishmëri për përballjen me situatën epidemiologjike të COVID-19.

“Ministri Latifi kërkoi nga drejtuesit e shërbimeve shëndetësore të Kujdesit Tretësor dhe Dytësor që ta ngrinin nivelin e lartë të gatishmërisë për t’u ballafaquar me raste të COVID-19, marrë parasysh situatën epidemiologjike ne vendet përreth dhe përhapjen në shumë shtete edhe të variantit tjetër të SARS-COV-10, Omicron”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Shëndetësisë.

Gjithashtu, ministri ka lavdëruar punën e personelit shëndetësor, mirëpo ka theksuar se situata mund të përkeqësohet.

“Mund të përmbyset nëse nuk zbatohen në fuqi masat ekzistuese dhe nëse spitalet nuk janë të mobilizuara maksimalisht për të pritur pacientë në rast të një vale të re të COVID-19”.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Ndërkaq, gjatë këtij takimi drejtuesit e QKUK-së kanë bërë të ditur kapacitet aktuale që kanë si dhe cilat janë sfidat që do t’i kenë në rast se përballen me një valë të re të pandemisë.

“Në këtë takim u tha se furnizimi me pajisje mbrojtëse profesionale dhe barna kundër COVID-19 janë të qëndrueshme, përderisa u kërkua që të forcohet çdo segment, me qëllim që sistemi të jetë në gjendje ta përballojë çfarëdo situate”.

Ministri Latifi ka bërë thirrje, “që secili të punojë, qoftë nga pozita e menaxherit, profesionistit apo familjarit, për të bindur qytetarë që ende nuk janë vaksinuar kundër COVID-19, për ta bërë sa më parë këtë”.

Po ashtut të enjten e 23 dhjetorit, në Kosovë pritet të arrijnë testet që mund ta detektojnë variantin Omicron të virusit Corona.

Testimet për konfirmimin e këtij varianti pritet që shumë shpejt të kryhen në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Këtë për Albanian Post, e ka konfirmuar zëdhënësja e IKSHPK-së, Era Pireva.

“RT PCR kitet e këtilla të porositura nga IKSHPK priten te arrijnë në Aeroportin e Prishtinës me datën 23.12.2021 dhe varet nga procedurat e zhdoganimit se sa shpejt do të arrijnë në IKSHPK, kështu që shumë shpejt do të kryhet konfirmimi i variantit Omicron te SARS-CoV-2 ne IKSHPK”, ka thënë Pireva.

Ndërkaq, Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka deklaruar se “nga të gjitha mostrat e dërguara në Gjermani, asnjë rast nuk ka rezultuar pozitiv në variantin Omicron të COVID-19”.

“Do të ishte fatkeqësi e madhe nëse i lirojmë ne masat tërësisht dhe mendojmë se ne s’kemi Omicron këtu dhe s’kemi sëmundje të COVID-19”, tha Latifi.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur se deri tani nuk është raportuar ndonjë vdekje që lidhet me variantin e ri të Coronavirusit, Omicron, variant ky që është detektuar në pothuajse 40 shtete të botës.

Omicron ka më shumë mutacione sesa varianti aktual dominues Delta dhe nuk është ende e qartë se sa efektive janë vaksinat ekzistuese kundër tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore