Lajme

Latifi: Ideja e bashkimit kombëtar i ka dy plagë, njëra është shkaktuar nga vetë shqiptarët


Blerim Latifi

Filozofi dhe profesori universitar, Blerim Latifi, duke komentuar deklaratën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se do të votonte pro bashkimit me Shqipërinë, ka thënë se ideja e bashkimit kombëtar të Shqiptarëve historikisht ka vuajtur nga dy plagë të mëdha, ku njëra prej plagëve sipas tij është shkaktuar nga vetë Shqiptarët.

Sipas tij, politikanët shqiptarë duke e përdorur këtë ide kanë mbledhur vota për pushtetet e tyre.

Ndërsa plaga tjetër sipas Latifit vije nga fqinjët gjegjësisht nga Serbia, pasi ideja e bashkimit kombëtar demonizohet nga këta të fundit, duke u paraqitur si ide shoveniste dhe kërcënim për paqen në Ballkan.

“Edhe sot vazhdon e njëjta gjë, fqinjët e përdorin këtë ide për të penguar fuqizimin kombëtar të shqiptarëve në Ballkan, e ne si mjet propagandistik për t’ia rrëmbyer pushtetin njëri-tjetrit në mahallat tona politike”, ka shkruar Latifi në rrjetin e tij social në Facebook.

“A ka shërim për këto dy plagë? Me elitat politike e kulturore që kemi, vështirë të thuhet po”, ka përfunduar ai.

Edhe Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, kishte reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Kurti, kështu duke kërkuar nga ky i fundit të tregonte hapa konkrete se si do bënte bashkimin kombëtar.

“Po ia rikujtoj kryeministrit se bashkimi është i ndaluar me Kushtetutën e Kosovës, ndryshimi i kushtetutës është i kushtëzuar me votën e 2/3 të deputetëve të pakicave (përkatësisht së paku nja katër deputetë të Listës Serbe do të duhej të votonin për ndryshim), dhe referendumi për ndryshimin e kushtetutës po ashtu nuk lejohet me këtë kushtetutë”, kishte deklaruar Murati.

Valon Murati

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore