Sport

Largimi i Messi-t, marka Barcelona rrezikon rënien me 11%


Sipas një prej kompanive më të njohura në botë në fushën e marketingut dhe financave, si dhe vlerësimit të markave “Brand Finance”, largimi i Lionel Messi-t do të ketë një impakt shumë të madh në vlerën e markës së Barcelona-s.

Në bazë të studimit të “Brand Finance Football 50 2021”, vlera e aksioneve të Barcelona-s në treg pritet të ulet me 11% ose e thënë ndryshe me 137 milionë euro.

Tashmë klubi blaugrana nuk do të vlejë 1 miliard e 266 milionë euro, por 137 milionë euro më pak.

Kjo pritet të ndodh për shkakun se largimi i Messi-t do të ketë efekte të drejtëpërdrejta dhe të menjëherëshme te sponsorizimet, shitjet e mallrave dhe të ardhurat nga ndeshjet. Gjithashtu, këtu mund të shtohet edhe trkurrja e tifozëve dhe ndjekja globale e klubit.

“Messi është sinonimi i markës Barcelona dhe ka qenë për 15 vjet hajmali për klubin që kur doli në skenë. Prania e tij në klub, padyshim ka tërhequr më shumë tifozë, lojtarë më të mirë, marrëveshje komerciale dhe menaxherë. Largimi i tij mund t’i kushtojë shumë klubit dhe të rezultojë në rënie të markës”, thuhet në studimin e “Brand Finance”.

Ku pritet të jetë ndikimi më i madh?

Messi ndiqet në Instagram nga 240 milionë njerez, më shumë se dyfishi i Barcelona-s, që ka 99.5 milionë ndjekës. Kjo tregon se sa i rëndësishem është ai në aspektin komercial. Dhe të ardhurat komerciale që janë në rrezik vlerësohen rreth 77 milionë euro.

Argjentinasi është dhe lojtari që i shitet më shumë fanella te Barcelona dhe padiskutim një nga fanellat më të shitura në botë.

Të ardhurat nga shitja e fanellës së Messi-t thuhet se kanë gjeneruar rreth 200 milionë euro të ardhura në sezonin e kaluar, ku 10-15% të tyre i takojë Barcelona-s, pra 30 milionë euro. Ndërsa, “Nike” që kishte pjesën më të madhe të të ardhurave pritet të jetë humbësi më i madh në këtë mes, megjithatë duke qenë se Messi po shkon te PSG, edhe aty sponsor është “Nike”.

Mungesa e Messi-t në fushë është një tjetër faktor negativ për arkat e klubit, pasi mund të ndikojë në uljen e çmimit dhe sasisë së biletave. E thënë ndryshe, sipas studimit humbjet në këtë aspekt pritet të jenë rreth 17 milionë euro.

E njëjta situatë ndodhi edhe me klubin e Real Madrid-it në vitin 2018 kur super ylli i skuadrës, Cristiano Ronaldo, u largua në drejtim të Juventus-it. Real-i asokohe pësoi humbje të aksioneve në vlerën e 19%.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore