Shqipëria

Larg skajeve të vetëvlerësimit


Edhe me veten mund të arrihen skajet.

Qoftë ato që të rrënojnë, qoftë të tjerat që të lartësojnë.

Sfida u mbetet mendimeve dhe ndjenjave. Ato janë projektueset e vetes. Janë gjurmueset e së shëndetshmes së vetëvlerësimit.

E atij që nuk tepron.

“Vetëvlerësimi është tërësia e mendimeve dhe ndjenjave që kemi për veten. Është mënyra sesi e vlerësojmë dhe e perceptojmë atë”.

Kështu e përkufizon psikologia klinike, Lediona Braho, vetëvlerësimin.

Ajo tregon për Albanian Post se, nëse dikush ka vetëvlerësim të lartë, e pëlqen veten, pëlqen trupin, fytyrën, tiparet dhe cilësitë e veta, prirjet dhe aftësitë e veta, interesat dhe pasionet e veta.

Po ashtu pranon edhe të metat, duke ruajtur një vlerësim të qëndrueshëm për veten, pavarësisht rrethanave.

Prej këtej del edhe natyra e vetëvlerësimit, që ka në përbërje besimin te vetja, ndjenjën e sigurisë, të identitetit, përkatësisë dhe kompetencës.

Sipas psikologes, ai priret të jetë më i ulët në fëmijëri dhe rritet gjatë adoleshencës dhe në moshë të rritur, duke arritur një pikë relativisht të qëndrueshme.

“U ngjan tipareve të personalitetit, të cilat bëhen të qëndrueshme me kalimin e kohës. Rritja e vetëvlerësimit lidhet me rritjen dhe përmirësimin e aftësive gjatë jetës”, sqaron ajo.

Por ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë, përveç moshës, të tilla si pasja e një sëmundjeje, një paaftësie intelektuale apo fizike, statusi social-ekonomik apo përkatësia në një grup që diskriminohet.

Edhe gjenetika, dallon Braho, është një faktor me rëndësi që ndihmon në formimin e personalitetit, por eksperiencat jetësore mendohet se janë faktori më i rëndësishëm.

Nëpër fazat e jetës

Psikologia veçon se, përgjatë jetës, ngjarje të caktuara mund të dëmtojnë vetëvlerësimin.

Lind pyetja se cilat mund të jenë disa nga këto ngjarje.

Ngjarje e faktorë të ndryshëm mund të ndikojnë në uljen e vetëvlerësimit. Këto mund të jenë ngjarje nga e kaluara apo edhe ngjarje aktuale, sipas saj.

Ndër to liston përjetimin e abuzimit, ngacmimit, bullizmit, diskriminimit, paragjykimit, racizmit dhe përvoja të tjera negative në fëmijëri.

Gjithashtu nuk anashkalon problemet shëndetësore dhe të shëndetit mendor, problemet në shtëpi, në shkollë, punë, marrëdhënie, problemet financiare dhe me strehimin apo stresin e vazhdueshëm.

Braho ravijëzon se këto ngjarje janë madhore dhe dëmtojnë perceptimin për veten dhe botën.

Nga ana tjetër, ka nga ato ngjarje që kontribuojnë në rritjen e vetëvlerësimit.

“Sa më pak ndaj faktorëve të mësipërm të ekspozohet dikush, aq më shumë gjasa ka të ketë një vetëvlerësim më pozitiv”, thotë ajo.

Për të, një fëmijëri ku nevojat janë plotësuar në mënyrë të qëndrueshme dhe sistematike, me dashuri dhe pranim dhe një adoleshencë ku nevojat janë shprehur dhe është marrë mbështetje në mënyra të përshtatshme dhe pozitive, janë tregues pozitivë.

Ngjashëm edhe për moshën e rritur në të cilën personi ka një marrëdhënie të mirë me veten, krijon marrëdhënie të shëndetshme romantike e sociale, kontribuon në jetën profesionale dhe ndihet se i përket komunitetit.

Apo edhe në një moshë të tretë, ku personi ndjen se e ka realizuar misionin në jetë dhe ka jetuar një jetë të përmbushur.

Psikologia klinike e sheh tejet me rëndësi moshën e fëmijërisë dhe adoleshencës.

“Mënyra sesi prindërit dhe kujdestarët e parë përgjigjen ndaj nevojave të fëmijës, përcakton mënyrën sesi ai do të ndihet me veten, sa do të inkurajohet për të provuar, eksploruar, testuar aftësitë e tij, për të mësuar aftësi të reja, për të fituar pavarësi e për të mësuar përgjegjësi”, thotë ajo.

Për Brahon, sa më të shëndetshme të jenë marrëdhëniet në fëmijëri, aq më tepër gjasa do të ketë që sfidat e mëvonshme në jetë të përballohen me më shumë besim në vetvete dhe më shumë besim te të tjerët.

Skajet e vetëvlerësimit

“Njerëzit ndryshojnë në varësi të masës së vlerësimit që kanë për veten”, qartëson ajo.

Edhe e ilustron këtë pohim të saj.

Nëse do të bënim një segment, tregon psikologia, në skajin e ulët do të gjenim njerëzit me vetëvlerësim tepër të ulët, duke shkuar drejt mesit, do të gjenim njerëz me vetëvlerësim mesatar dhe drejt skajit tjetër ata me vetëvlerësim të lartë dhe tepër të lartë.

“Skajet janë problematike. E mesmja është një vetëvlerësim i shëndetshëm, që bazohet në njohjen dhe kuptimin që kemi për vlerat unike të vetes”, nxjerr në pah Braho.

Sakaq, ajo vazhdon se pika e mesit ndihmon për të ruajtur një ekuilibër mes të mirave dhe të këqijave që kemi si qenie njerëzore.

Kurse ata me vetëvlerësim të ulët mund të besojnë se të tjerët janë më të mirë se ata.

E kanë të vështirë t’i shprehin nevojat, fokusohen më shumë te pikat e dobëta, përjetojnë shpesh frikë, shqetësim, kanë qëndrim negativ ndaj jetës, mungesë kontrolli, frikë nga dështimi, dhe vështirësi për të vendosur kufij.

Braho thekson se ata mund të jenë në risk për të përjetuar probleme të shëndetit mendor. Prandaj dhe e kanë më të vështirë të ndjekin qëllimet e tyre dhe të ruajnë marrëdhënie të shëndetshme.

Ama edhe vetëvlerësimi i tepruar mund të jetë i dëmshëm.

“Shpesh mund të ngatërrohet me narcizmin, por janë dy gjëra të ndryshme. Dallimi kryesor është që personat me tipare narcistike duket sikur kanë vetëvlerësim të lartë, por në fakt, vetëvlerësimi i tyre ndryshon në varësi të situatës: herë bëhet i ulët, herë i lartë”, thotë ajo.

Ndërsa ata me vetëvlerësim të tepruar mund të duan të jenë perfektë, që gjithmonë të kenë të drejtë.

Sipas psikologes, ata besojnë se nuk duhet të dështojnë, se kanë më shumë aftësi se sa të tjerët, mund të kenë ide madhështie dhe të mbivlerësojnë aftësitë e tyre.

“Edhe për këta persona, marrëdhëniet dhe jeta mund të bëhen të vështira, pasi nuk e pranojnë kritikën”, tregon ajo.

Kështu, vetëvlerësimi i shëndetshëm ka peshë në jetën e cilitdo.

Ata që e kanë, mbajnë një qëndrim pozitiv ndaj jetës, shohin pikat e forta dhe të dobëta, shprehin nevojat e tyre dhe thonë “jo” kur nuk munden.

Si dhe janë më të motivuar të arrijnë qëllimet, pasi e jetojnë jetën me besimin se janë të aftë të arrijnë gjërat që kanë vendosur si qëllim… kanë aftësi të ruajnë një marrëdhënie të shëndetshme me veten dhe të vendosin kufij në marrëdhënie me të tjerët.

Paçka se vetëvlerësimi ndikohet nga disa faktorë të pandryshueshëm, si gjenetika, eksperiencat e hershme të fëmijërisë dhe tiparet e personalitetit, psikologia tregon se mund të përmirësohet.

“Në përditshmëri, mund të krijojmë një rutinë në të cilën të mund të gjejmë të paktën 10-15 minuta kohë për veten dhe në këtë hapësirë të praktikojmë disa gjëra që na lidhin shpirtërisht me veten”, sugjeron ajo.

Pasi për të ndryshuar vetëvlerësimin, duhet të punohet për të rritur vetëdijen për mendimet dhe përjetimet negative për veten dhe që ato të sfidohen.

Për Brahon, kjo mund të kontribuojë në krijimin e një stili jetese më të shëndetshëm, që do të ushqejë vlerësimin për veten dhe zgjedhjet që bëjmë.

Në botën e terapisë

Por shumë njerëz e kanë të vështirë këtë dhe mund të kenë nevojë për ndihmën e një terapisti.

“Në terapi, punohet me veten, zëvendësohen mendimet, ndjenjat dhe sjelljet e vjetra me të reja. Ndaj, kushdo që ka provuar ta ndihmojë veten, por nuk ka mundur dhe që është duke vuajtur prej shqetësimeve emocionale që ia ulin cilësinë e jetës, e inkurajoj të gjejë një psikolog apo terapist”, thotë ajo.

Njerëzit nuk vijnë në terapi thjesht për shkak të vetëvlerësimit të ulët, veçon psikologia, por prej shqetësimeve që lidhen edhe me vetëvlerësimin e ulët.

Disa mund të kenë diagnoza të shëndetit mendor dhe mund të kombinohet mjekimi dhe psikoterapia.

Të tjerë mund të kenë çështje specifike që duan t’i zgjidhin, por për shumë prej tyre, nëse shkohet pak më thellë, zbulohen vështirësi të instaluara më herët.

“Përmirësimi i vetëvlerësimit është një nga objektivat që punohet brenda një kuadri më të gjerë të ndryshimit të mendimeve, emocioneve dhe sjelljeve të personit që vjen për ndihmë”, specifikon ajo.

Dhe se sa më herët të trajtohen problemet emocionale, aq më i aftë bëhet personi për t’i përballuar sfidat e mëtejshme.

“Kërkimi i ndihmës vërtet është një proces që kërkon kurajë dhe guxim, si dhe investim financiar, por mbetet një nga shërbimet më të mira që mund t’i bëjmë vetes”, përmbyll Braho.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore