Sport

Laporta: Shpresoja që Messi do luante pa pagesë te Barcelona


Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, thotë se shpresonte që Lionel Messi të qëndronte në klub dhe “të luante falas”.

34-vjeçari Messi u nis për në Paris Saint-Germain në gusht, pasi Barcelona nuk ishte në gjendje të rinovonte kontratën e tij, për shkak të kufizimeve të pagave në La Liga.

Argjentinasi, i cili fitoi 10 tituj të ligës me gjigantët katalanas, duhej të largohej, pavarësisht se ishte dakord për të ulur pagën e tij 50%.

“Kishte zhgënjim nga të dy palët”, tha Laporta.

“Shpresoja që Messi të bënte një kthesë dhe të thoshte se do të luante pa pagesë”, shtoi ai në një intervistë.

“Besoj që La Liga do ta kishte pranuar atë. Por ne nuk mund t’i kërkojmë një lojtari të nivelit të Messit ta bëjë këtë”.

Laporta përsëriti se nënshkrimi i një marrëveshjeje të re nga Messi do ta kishte vënë klubin “në rrezik”.

Messi shpërtheu në lot, në një konferencë shtypi, para se të largohej nga Barcelona.

Laporta gjithashtu mbështeti menaxherin nën presion Ronald Koeman, me Barcelonën në vendin e nëntë në tabelën e La Liga.

Laporte shtoi se, kur pyeti Koeman-in nëse ai beson në skuadrën e Barcelonës, tha: “Sigurisht që unë kam besim tek ata”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore