Shqipëria

Lapardha – viti zero, gratë presin burrat që nuk u kthyen kurrë


“Nga gjithë vitet e pritjes, morëm rrugën e shkurtër për të shkuar, e një rrugë shumë të gjatë për të kuptuar dhe prekur realitetin e Lapardhasë. Një fshat i ndarë në një dyzim mes zhvillimit dhe largësisë pangjashmërisht nga tjetri. Lapardha 1 dhe Lapardha 2 ishin përjashtues të së njëjtës kauzë, asaj të Lapardhas.”

“Aty në pragun e bashkëshkrirjes kuptimore me fshatin, mikpritësi ynë, Adi, parimisht miku ynë e më pas pritësi, na u bashkangjit bashkë me një nga krerët e bashkisë vendore. Mes Adit, administratorit të zonës, Arjanit, nën-kryetarit të bashkisë, ishte një element shpërfaqës, Kryeplaku i fshatit, Barjami për miqtë ‘Bakja’.”

Memento

Në filmin e vitit 1990 “Vitet e pritjes” tematizohet artistikisht si plagë sociale, emigrimi i burrave drejt Amerikës së largët. I vendosur në mesin e viteve 20’ filmi hap një çelnajë a dritare përjetimi midis grave që detyroheshin të rrisnin fëmijët të vetme dhe kurbetllinjve që riktheheshin, të shpërfytyruar, pa identitet.

Në gjëndjen shpirtërore të fshatit, emocionet ishin të përcaktuara, pra “vdekja” e burrave ishte e paralajmëruar dhe e pashmangshme për shkak të humbjes së kontakteve.

Ata që nuk ktheheshin më, shpalleshin nga pleqësia e fshatit si fatkeq dhe gruaja kish mundësi të martohej sërish me të afërm të të shoqit. Të prisje lajmin ishte si të prisje vdekjen për së dyti, çdo ditë gratë jetonin të shkëputura nga realiteti, me iluzionin se ishin të martuara me dikë që mbase edhe nuk e kishin njohur kurrë.

Udha eskapiste

Në nisje pa ngasje, si burra, ne riktheheshim në një fshat ku nuk ish ende sezoni i rikthimit të burrave. I kthehemi rrugës për të shpëtuar shpengimin e rrëfimit. Unë nuk udhëtova vetëm nga Tirana e dallimeve dhe identiteve, por u largova dhe nga zhvillimi anti-romantik i kohës.

Në devijime të udhëtimit sheh rrugë të vjetra që mbesin funksionale vetëm për nostalgjinë e shoferëve dhe narrativave komuniste, aty tangent me rrugën e re. Nostalgji për një kohë të pajetuar por që është aty pavarësisht gjithçkaje si gërvishtje, çarje e sipërfaqjes dhe erozion i mendimit.

Të gjitha nivelet e përgatitjes intelektuale bien kur sheh qytete fantazëm nga ku përjetimi të ngërthen sytë. Nuk ka asgjë tjetër përveç hijeve. Hekurudha që i banon ndryshku, por në palëvizshmëri e sipër. Puset e naftës më të ndryshkur se rrudhat e tokës së shkatërruar rreth e qark, në kufi me brezaret moniste, kishin ngecur së punuari dhe nafta së gurgulluari.

Nuhatja është shqisa që përshtatet më me vonesë me kushtet e jashtme dhe era tejet e rëndë e gjërave të ndenjura, të gërryente përbrënda dhe të sillte në vëmendje se erës i largohesh, por jo banorëve që jetojnë aty. Ata jetojnë me idenë se aroma e mirë nuk ndihet që në mëngjes, mund të lindë dielli, shiu mund të bjerë, qyteti i fantazmave ende kundërmon ditën nga lodhja e natës.

“Era më zhvendosi në hullitë e hijes së bahçes në shtepinë e Zanit, ethos-i i fshatit i mishëruar në njeri. Aty ndjemë freskun e Lapardhasë për herë të parë. Një njohje në pritje, që po rendte e pavarur nga biseda e ngrohtë mes miqsh ku ne ishim ata që shijonim historitë me bejlerët e zonës apo me kredhjen në rini të Bakes dhe Zanit.”

Burrat e huaj

Ndërkohë që i afroheshim Lapardhasë, që dukej e veçuar nga Berati, e jo si një periferi, aneks i vetvetes, GPS-ja si udhërrëfyes po ngatërrohej në elementët elektromagnetikë me shtyllat të shtrira në lartësi e të ngritura në shtrirje kohore.

Rruga që të çonte për Lapardha ishin ditët e pritjes sepse Lapardhaja nuk kishte pritur asgjë, madje as neve deri në atë moment. Morëm kthesën për Lapardha 1, duke kërkuar 2-shin, pa kuptuar që mund të ishin e njëjta gjë. Ku fillonte njëjësi i njërës e shumësi i tjetrës?

Në degëzimin që të shpinte për në Lapardha 1 gjendej një xhami që paqësohej e prehej në anë të një përroi gjysëm kullues e gjysëm të kulluar. Kullues i mbetjeve njerëzore dhe i kulluar në kaltërsinë e tij të sprovave dhe qëndrimtarisë natyrore, i natyrshëm për veten larg artificave njerëzore.

Degëzimi kishte në përbërje dhe një lokal ku qenë mbledhur të gjithë burrat për të pushuar dhe jo për të kuvenduar. Kemi mbërritur në orar dreke dhe besoj se është orari më i përshtatshëm për të pyetur burrat se ku janë burrat e fshatit.

Rrugës në eksplorim vumë re mandej një punëtor me paliçeta bojaxhiu që po formësonte ornamentet e gëlqerosura dhe të gatitura deri në prekjen e fundit. E pyetëm mbi emigrimin dhe gratë që detyroheshin të rrisnin fëmijet të vetme.

Qeshi, pohoi dhe na bëri me kokë nga krahu tjetër, përtej serave prej plasmasi në struktura metalike, atje tej mund të dëshmonim shtëpi ku gjendej kjo dominancë e gruas si autoriteti fundor i tyre.

Shumë shikime syresh dhe ngultazi, ca të qeshur, ca të ngrysur si struktura e gurtë e Buster Keaton.  Banorët sa vinin e shtoheshin rrugëve të pluhurosura dhe me kanalet e kullimit që shurdhonin një të lehur apo një të bërtitur nga përtej fushave.

Pritja si simptomë

Në Lapardha, ditët e pritjes po i përjetoja unë, ndërkohë që gratë dhe të moshuarit kishin harruar vitet e pritjes. Po prisja që të largohesha për tu rikthyer mbase me një tjetër kulmim apo relativizëm imazhor. Isha unë që kërkoja përgjigje dhe mikpritësit më mbushnin me fakte.

Mbasi shqyrtuam disa çështje më të përgjithshme në intervistën tonë me Arjanin, Barjamin dhe Adin sa i takonte fshatit të tyre dhe Lapardhasë. Fshatit të Beratit, pra atij të jetuarit në përditshmëri dhe emrit në hartë, rrëzë kodrës nga ku shihej e tërë Lapardhaja.

Të gjithëve ne na mirëpriti Zani, prej nga shtëpia e tij kishte një fushë-pamje ku pemishtet, ullishtet, qëmtoheshin me prekjen e syrit.

A ishte tretur miti i të emigruarit në mitizimin e zakonshëm të emigrimit apo kish emigruar diçka përtej mitit, një përftim i logosit brenda për brenda komunitetit. Këto të gjitha më tej shkonin ndër mend teksa drekonim me miqtë tanë dhe Bakja trondiste përhumbjen time medituese me batutat e ripërtërira në murmurima bashkëngjitur theksit të zonës.

Nuk isha as i mërzitur e as i lumtur, apo i dorëzuar ndaj emocioneve, kisha ngecur diku ndër dy, në ditët e pritjes për tu kthyer e për të shkruar. Pasi i shprehëm mirënjohjen miqve tanë dhe ju dhamë fjalën se do të riktheheshim një ditë, morëm drejtimin mes perëndimit të diellit për të ardhur.

I ramë nga një rrugë tjetër për tu kthyer, si për tu bindur, që ardhja është ende në pritje, duke ardhur ditëve të pritjes. Lapardhaja, miqtë tanë, çdo detaj i udhës ishte në pritje deri sa erdhëm ne. Lapardhaja dhe ditëve të pritjes ju erdhi fundi. Më në fund u takuam.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore