Shqipëria

Lamtumira Presidenciale e Nishanit, mes nderit dhe përulësisë


“Ishte një nder i lartë për mua të isha presidenti juaj dhe të punoja me ju. I pyetur se si ndihem? Si pas çdo pune, i kënaqur. Si pas çdo kënaqësie, i lumtur”.

Këto do të ishin fjalët e fundit të Bujar Nishanit si kreu i shtetit, pesë vite më parë, kohë kur ai e la stafetën e Presidencës.

“Kryelartë”, e dorëzoi, sepse siç thoshte vetë ai, ka “pasur nderin të kryejë detyrën pa u lëkundur, pa u penduar dhe pa u ndalur para asnjë pengese”.

“Ndoshta ka gjëra që mund të ishin bërë më mirë, por ishte nder për mua që i shërbeva Shqipërisë. Nuk bëra kush e di se çfarë, thjesht bëra punën time”.

Kjo ishte deklarata e fundit si president, por jo si personalitet aktiv në politikë.

“Unë nuk do të marr funksione publike, por në jetën politike dhe publike askush nuk mund të më përjashtojë”, do të vijonte ai rrjedhën post-presidenciale aktive.

Dhe i tillë mbeti aktivizimi i Nishanit.

“Posti vjen e shkon, kauza mbetet! Unë nuk e kam projektuar kurrë angazhimin tim politik me ofiqe apo poste partiake. Më e rëndësishme është përgjegjshmëria qytetare sesa posti”, ishte një nga deklaratat e tij, teksa pyetej për situatën në Partinë Demokratike, forcë politike e cila i dha shumë dhe të cilës ai i kushtoi gjithçka.

Fjalët e “Lasgushit të madh”, u risollën nga presidenti i pestë i demokracisë shqiptare në fjalimin e lamtumirës, dhe sot “Më pat lindur dheri i Zotit” dhe “Bëra punën e njeriut”, u bënë një me jetën e tij.

Sot, më 28 maj, Nishani i dha lamtumirën familjes, miqëve dhe gjithkujt që e njihte.

Prej muajsh ishte i shtruar rëndë në një spital në Gjermani dhe kaloi në vdekje klinike pa mundësi rikthimi.

Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i pati lënë në organizëm.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore