Sport

LaMarcus Aldridge tërhiqet nga basketbolli pas disa probleme shëndetësore


LaMarcus Aldridge është një nga lojtarët më të mirë të epokës së fundit në basketboll, ai luajti në Portland Trail Blazers, San Antonio Spurs dhe Brookly Nets dhe kishte një karrierë mjaftë të mirë, por pas 15 viteve ai u detyrua të tërhiqej nga basketbolli për shkaqe shëndetësore.

Aldridge njoftoi në Twitter të enjten se ai do të tërhiqet nga basketbolli, pasi përjetoi një rrahje zemre të parregullt gjatë paraqitjes së tij të fundit me ekipin.

Ai iu falënderua të gjitha skuadrave që bëri pjesë dhe foli për momentet e paharrueshme që i dha basketbolli.

“Lojën time të fundit, kam luajtur ndërsa kam pasur një rrahje zemre të parregullt. Më vonë atë natë, gjendja ime u përkeqësua, gjë që më shqetësoi vërtet edhe më shumë. Të nesërmen në mëngjes, i thashë ekipit se çfarë po ndodhte dhe ata më ofruan mbështetje maksimale duke më çuar në spital dhe duke më kontrolluar”, theksoi Aldridge.

“Megjithëse jam më mirë tani, ajo që ndjeva me zemrën time atë natë ishte një nga gjërat më të frikshme që kam përjetuar. Deri tani, unë e kam vendosur basketbollin në radhë të parë, dhe tani, është koha të vendos shëndetin dhe familjen time në radhë të parë”.

“Jam mirënjohës për gjithçka që më ka dhënë ky sport: kujtimet e shkëlqyera, përfshirë të gjitha ngritjet dhe uljet, dhe miqësitë që kam bërë do t’i ruaj me vete përgjithmonë. Falënderoj Portland që morri një fëmijë të dobët në peshë nga Teksasi dhe i dha atij një shans. Qyteti i Portland-it më ka dhënë disa vite të paharrueshme. Ata gjithmonë do të qëndrojnë në zemrën time”.

“Unë dua të falënderoj edhe Spurs që më lanë brenda familjes së tyre dhe më dhanë 5 vite fantastike. E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, unë dua të falënderoj Brooklyn-in. Ju më donit ashtu siç isha. Në një sport që po ndryshon kaq shumë, ju më kërkuat të vija dhe të bëja vetëm atë që dija më së miri. Më vjen keq që nuk zgjati shumë, por padyshim që jam falënderues  që isha pjesë e këtij grupi special”, shtoi ai.

“Kurrë nuk e dini kur diçka do të marrë fund, prandaj sigurohuni që ta shijoni çdo ditë. Unë me të vërtetë mund të them se e shijova deri në fund”, pwrfundoi Aldridge me anë të një postimi në Twitter.

Aldridge kishte humbur dy ndeshjet e fundit të Nets me atë që ekipi e quajti një sëmundje jo-COVID-19.

Menaxheri i Nets, Sean Marks tha se ekipi mbështet plotësisht vendimin e Aldridge për të lënë basketbollin.

“Organizata e Nets mbështet plotësisht vendimin e Lamarcus, dhe ndërsa ne vlerësojmë atë që ai i ka sjellë ekipit të tij gjatë kohës së tij të shkurtër në Brooklyn, shëndeti dhe mirëqenia e tij janë shumë më të rëndësishme sesa sporti i basketbollit. Ne e dimë që ky nuk ishte një vendim i lehtë për të, por pas shqyrtimit të kujdesshëm dhe konsultimit me ekspertë të shumtë mjekësorë, ai mori vendimin më të mirë për të, familjen e tij dhe për jetën e tij pas basketbollit. Ne i urojmë LaMarcus dhe familjes së tij shumë shëndet dhe lumturi përpara”.

Gjatë një paraqitje në ESPN, ish-shoku i ekipit të Trailblazers, Damian Lillard tha se ishte “tronditur” kur dëgjoi lajmin e pensionit të Aldridge.

“Unë mendoj se në një situatë si ky basketbolli është shqetësimi më i vogël i tij”, tha Lillard. “Jam i sigurt se ishte një vendim i vështirë për të, por jam i kënaqur që ai e mori vendimin në interesin më të mirë të tij dhe të familjes së tij”.

Aldridge nënshkroi me Nets më 28 mars pasi ra dakord për transferimin nga San Antonio Spurs, ku kishte kaluar pesë sezonet e mëparshme. 35-vjeçari, kaloi nëntë vitet e para të karrierës së tij me Portland Trail Blazers.

Trajneri i San Antonio, Gregg Popovich, e quajti Aldridge një “profesionist të përkryer me një aftësi unike dhe një respekt të thellë për lojën”.

“Ne jemi mirënjohës për kontributet e tij, brenda dhe jashtë palestrës, gjatë kohës së tij këtu në San Antonio”, tha Popovich. “Jam krenar për të, për marrjen e këtij vendimi të vështirë dhe i urojmë atij dhe familjes së tij të gjitha të mirat në të ardhmen”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore