Sport

Lajme rreth transferimeve


Juventus: Sipas gazetarit sportiv Luca Momblano, Juventusi do të jetë aktiv këtë merkato veror. Emrat e lakuar së fundmi janë mesfushori, Poul Pogba i Manchester United dhe sulmuesi, Memphis Depay i Lyon.

Liverpool:  Sipas Transfermarket, skuadra e Jurgen Klopp është e interesuar për të marrë shërbimet e mesfushorit 23-vjeçar të Lille, Renato Sanches. Sanches duket se ka rigjetur formën në Francë, pas disa ulje ngritjeve me Bayern Munchen dhe Swansea.

Arsenal: Pas paraqitjeve shumë të dobëta ndeshjet e fundit, mesfusha e Arsenal-it duket se për sezonin e ardhshëm do të rinovohet ndjeshëm, pasi Granit Xhaka, nuk ofron siguri dhe është një lojtar që shpeshherë e tradhëtojnë nervat në fushë, ndërsa mesfushori turko-gjerman, Mesut Ozil, që tani është jashtë planeve të skuadrës duke mos u thirrur në ndeshje dhe Isco duket një profil ideal për ekipin nga Londra. Isco po kërkon një aventurë të re, pas viteve të lavdishme në Madrid, pasi kohët e fundit nuk po luan rregullisht dhe vlera e kartonit të tij është rreth 20-30 milionë euro, çfarë nuk përbën problem për topçinjtë e Londrës.

Inter: Sipas Don Balon, Antonio Conte, ka kërkuar shërbimet e anglezit të Aston Villa, Jack Grealish. Vlera e tij shkon në rreth 50 milionë euro. Grealish luan si trekuartist dhe këtë sezon në 11 ndeshje ka realizuar pesë gola dhe gjashtë asist. Kapiteni i Aston Villa, duket lojtari ideal për Conte, për të zvendësuar Christian Eriksen, i cili nuk ka arritur pritshmërinë që kishin për të në “Giuseppe Meazza”

Milan: Ekipi i Stefano Pioli-t, po kërkon një lojtar krahu pasi Samu Castillejo dhe  Alexis Saelemaekers nuk ofrojnë siguri për të qenë titullar në krahun e djathtë. Emri më i përmendur është ai i Domenico Berardi-t, 26-vjeçari, lojtar i Sassuolo-s në Serie A dhe i kombëtares italiane të futbollit është profili ideal për skemën e Piolit 4-2-3-1. Vlera e tij në tregun e transferimeve nuk shkon më shumë se 30 milionë euro dhe me një pjesëmarrje në Ligën e Kampioneve, do të ishte më e lehtë për Milanin që ta transferonte italianin.

Papu Gomez: Pas prishjes së marrëdhënieve me trajnerin e Atalantës, Gian Piero Gasperini, Gomez nuk po luan rregullisht dhe ndeshjen e fundit me Romën, nuk u thirr nga trajneri. Këto ftohje marrëdhëniesh me trajnerin kanë sjellë që Gomez të kërkojë largimin. Edhe pse 32-vjeçar, sulmuesi argjentinas ka shumë kërkesa nga ekipe të ndryshme. Pas tij janë Interi, Milani, Roma dhe Napoli. Të katër ekipet e kanë të lehtë për ta transferuar, pasi vlera e tij është 8-10 milionë euro dhe rroga nuk shkon më shumë se 2-3 milionë euro./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore