Lajme

Lajçaku vjen në Kosovë më 1 mars


Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd – Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, do ta vizitojë Ballkanin Perëndimor në javën e parë të marsit.

Duke filluar vizitën e tij në Kosovë nga 1 deri më 3 Mars, ai do të vazhdojë vizitën në Serbi nga 3 deri me 4 mars dhe gjithashtu do të vizitojë Malin e Zi si pjesë e mandatit të tij rajonal nga 4 deri në 5 mars.

Diplomati sllovak e kishte paralajmëruar vizitën e tij në Prishtinë duke thënë se do të takohet me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti i cili bashkë me Vjosa Osmanin dolën fitues të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Në Kosovë nuk do të mbetet më krejt njëjtë, sepse së shpejti do të kemi Qeverinë dhe Kryeministrin e ri dhe kjo qeveri do të ketë mandat shumë të fortë. Kjo është situatë e re. Së shpejti unë vizitoj Prishtinën dhe Beogradin. Në Kosovë do të flas me fituesin e zgjedhjeve, Albin Kurti, rreth bashkëpunimit tonë dhe vazhdimin e dialogut”, kishte thënë Lajçak.

Të enjten, Lajçak nxiti shumë reagime në Kosovë, pasi mbrapa tij gjatë një interviste nga Brukseli për platformën European Western Balkans shihej një hartë e cila e “kthente” Kosovën në Serbi.

Por, zëdhënësi për shtyp mbi Çështjet e Jashtme të BE-së, Peter Stano, në një prononcim për Albanian Post, sqaroi se “pretendimi është tërësisht i nxjerrë nga konteksti”. “Kjo hartë zyrtare e BE-së, është në linjë me qëndrimin neutral të Evropës”.

Por, a ishte ajo hartë me atë lloj gjeografie – pa Kosovën në të – neglizhencë apo mesazh politik i drejtpërdrejtë?

“Unë besoj se kjo ndërlidhet me pozicionin që vetë Z. Lajçak ka ndaj Kosovës, jo pozicionin e BE-së. Zyrtari evropian njihet për ‘gafa’ të tilla simbolike. E ka bërë edhe në rastin kur u ul në anën serbe në një prej takimeve për dialogun Kosovë-Serbi”, tha Abit Hoxha, studiues i medias, i cili vuri re detajin mungues në sfondin e përfaqësuesit të veçantë të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Pas një pauze 20-mujore, dialogu rinisi në korrikun e vitit 2020.

Takimi i fundit i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua në shtatorin e vitit të kaluar.

Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, Brukseli zyrtar ka paralajmëruar se nuk do të ketë takime në kuadër të dialogut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore