Lajme

Lajçak vizitë treditore në Kosovë


Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, nesër, e hënë, pritet të vije për vizitë në Kosovë.

Ai do të qëndrojë tri ditë në Prishtinë duke filluar nga e hëna e një marsit.

Më pas, do të vazhdojë vizitën në Serbi nga tre deri me katër mars dhe gjithashtu do të vizitojë Malin e Zi si pjesë e mandatit të tij rajonal nga katër deri më pesë mars.

Lajçak planifikon të takohet me udhëheqjen politike të tre partnerëve të Ballkanit Perëndimor, si dhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në terren.

Të enjten, Lajçak nxiti shumë reagime në Kosovë, pasi mbrapa tij gjatë një interviste nga Brukseli për platformën European Ëestern Balkans shihej një hartë e cila e “kthente” Kosovën në Serbi.

Por, zëdhënësi për shtyp mbi Çështjet e Jashtme të BE-së, Peter Stano, në një prononcim për Albanian Post, sqaroi se “pretendimi është tërësisht i nxjerrë nga konteksti”. “Kjo hartë zyrtare e BE-së, është në linjë me qëndrimin neutral të Evropës”.

Por, a ishte ajo hartë me atë lloj gjeografie – pa Kosovën në të – neglizhencë apo mesazh politik i drejtpërdrejtë?

“Unë besoj se kjo ndërlidhet me pozicionin që vetë Z. Lajçak ka ndaj Kosovës, jo pozicionin e BE-së. Zyrtari evropian njihet për ‘gafa’ të tilla simbolike. E ka bërë edhe në rastin kur u ul në anën serbe në një prej takimeve për dialogun Kosovë-Serbi”, tha Abit Hoxha, studiues i medias, i cili vuri re detajin mungues në sfondin e përfaqësuesit të veçantë të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd.

Megjithatë, më pas vetë Lajçak reagoi duke thënë se vija ndarëse në mes të Kosovës e Serbisë në hartë ekziston, thjesht nuk është parë meqë fotoja u bë nga larg.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Pas një pauze 20-mujore, dialogu rinisi në korrikun e vitit 2020.

Takimi i fundit i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua në shtatorin e vitit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore