Lajme

Lajçak: Po punojmë intensivisht për të zgjidhur krizën në Veri


Miroslav Lajçak

Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se në takimin e të mërkurës me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, – ku ishte së bashku me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell – ka kërkuar që të dëpërshkallëzohet situata në Veri të Kosovës.

“Dje, së bashku me Josep Borrell, u takuam me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, për të gjetur një mënyrë për të ecur përpara. Ne kërkuam de-përshkallëzimin e menjëhershëm, rivendosjen e qetësisë dhe kthimin në përpjekjet e normalizimit në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE”, shkroi Lajçak në Facebook.

Ndërkaq, ai shtoi se “për më tepër, u angazhova në diskutime me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacionet, Thomas Goffus, për të koordinuar përgjigjen tonë dhe për të eksploruar hapat e mundshëm për të ulur tensionet”.

Diplomati sllovak theksoi se pjesëmarrja e tij në konferencën e Sigurisë në Bratislavë të Sllovakisë u la në hije nga ngjarjet që ndodhën në Veri të Kosovës.

“Pjesëmarrja ime këtë vit u la në hije nga ngjarjet dramatike në veri të Kosovës dhe dhuna që rezultoi me lëndime të disa trupave të KFOR-it të NATO-s, qytetarëve, mediave dhe zyrtarëve të zbatimit të ligjit”.

Si pasojë e këtyre ngjarjeve ai shtoi se “pjesën më të madhe të kohës sime në konferencë i kushtova koordinimit të ngushtë me partnerët tanë dhe monitorimit të situatës në terren”.

Mund të jetë një imazh i 4 persona

“Në ditët në vijim unë dhe ekipi im do të vazhdojmë të punojmë intensivisht me palët dhe partnerët tanë për të gjetur një rrugëdalje nga kjo krizë”, nënvizoi Lajçak.

“Si me të gjitha konferencat e një shkalle të ngjashme, unë pata gjithashtu mundësinë të ndërveproj me shumë partnerë, miq dhe kolegë të rëndësishëm”, përfundoi ai.

Ndryshe, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën ka thënë se situata në Veriun e Kosovës është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme.

“Takova kryeministrin Albin Kurti në Bratislavë (Sllovaki) për të diskutuar tensionet në veri të Kosovës. Situata aktuale është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Ai theksoi se “ne kemi nevojë për de-përshkallëzimin urgjent”, dhe se një zgjidhje duhet të gjendet “përmes dialogut për t’iu rikthyer punës sonë për zbatimin e Marrëveshjes së arritur” në Bruksel\Ohër.

Ndryshe, që nga 26 maji janë rritur tensionet në Veri të Kosovës. Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Përveç ndalimit të hyrjes në objektet komunale të kryetarëve të rinj, serbët lokalë po kërkojnë edhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga kjo pjesë e vendit.

Ndërsa më 29 maj, në Zveçan, strukturat paralele serbe u përleshën me trupat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-in, i cili ka shtuar prezencën në veri, pas tensionimit të situatës. Si pasojë 41 pjesëtarë të këtij misioni mbetën të lënduar.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se Aleanca ka vendosur të dislokojë 700 trupa të tjera nga Forca Operacionale për Ballkanin Perëndimor në Kosovë dhe ka vendosur gjithashtu një batalion shtesë të forcave të NATO-s në gatishmëri të lartë.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat çuan në plagosjen e 30 paqeruajtësve. Sulme të tilla janë të papranueshme dhe duhet të ndalen”, u shpreh fillimisht ish-kryeministri norvegjez.

Stoltenberg garantoi se KFOR-i – forcat e NATO-s – do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në Kosovë dhe do të vazhdojnë të veprojnë në mënyrë të paanshme në përputhje me mandatin e OKB-së.

Kurti pas takimit me Borrell-in e Lajçak-un: Ritheksova se sulmet e milicisë serbe janë të papranueshme

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore