Kosova

Lajčák pa Kosovën në hartë, neglizhencë apo mesazh?


“‘Duhet ta ndryshoni atë, me Kosovën’ u tha ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, fëmijëve në Francën Jug-Lindore në vitin 2008, duke drejtuar gishtin për nga harta e Evropës. Z. Miroslav Lajčák, duhet ta ndryshoni edhe ju atë hartë, me Kosovën”.

Ky është postimi në Twitter-in e Abit Hoxhës, studiuesit të medias, i cili vuri re detajin mungues në sfondin e përfaqësuesit të veçantë të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd.

Ky i fundit, ka qenë në një takim virtual me Majlinda Bregun, Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit mbi Bashkëpunimin Rajonal. Harta e vjetruar, ka qenë prapa shpinës së Lajčák-ut.

Plot 13 vjet pas pavarësisë së Kosovës, debatet mbi njohjen e kësaj të fundit vazhdojnë të zaptojnë jo vetëm mediat tradicionale, por tashmë edhe hapësirën e atyre sociale.

Por, a ishte ajo hartë me atë lloj gjeografie – pa Kosovën në të – neglizhencë apo mesazh politik i drejtpërdrejtë?

“Unë besoj se kjo ndërlidhet me pozicionin që vetë Z. Lajčák ka ndaj Kosovës, jo pozicionin e BE-së. Zyrtari evropian njihet për ‘gafa’ të tilla simbolike. E ka bërë edhe në rastin kur u ul në anën serbe në një prej takimeve për dialogun Kosovë-Serbi”, thotë Abit Hoxha, i cili ka shtjelluar më tej për Albanian Post, detaje mbi problemin me hartën.

Por, zëdhënësi për shtyp mbi Çështjet e Jashtme të BE-së, Peter Stano, në një prononcim për Albanian Post, pohon se “pretendimi është tërësisht i nxjerrë nga konteksti”. “Kjo hartë zyrtare e BE-së, është në linjë me qëndrimin neutral të Evropës”.

“Pretendimet e disa mediave mbi hartën janë të pa vërteta. Harta zyrtare është në një linjë me pozicionin e BE-së, një status neutral. Do t’i rekomandoja të gjithë të përqendroheshin tek problemet e vërteta që na ndihmojnë me dialogun dhe normalizimin e situatës. Duhen ndaluar historitë false”, ka qenë reagimi i Stano-s për Albanian Post.

Veç përgjigjes për Albanian Post, Stano ka shkruar edhe në llogarinë e tij në Twitter.

Njëjtë si Lajčák-ut, edhe atij i ka replikuar Hoxha.

“Si mund të jetë një histori e stisur kur keni një hartë me Kosovën pjesë të Serbisë? Status neutral? Jeni serioz?”, shkruan Hoxha.

“Unë besoj se ajo çfarë thotë Stano është një mesazh shumë i keq për dialogun”, shton studiuesi. “Nuk është neutralitet nëse 21 vjet të ndryshimit neglizhohen në mënyrë të tillë. Simbolika e hartës aty ishte e vendosur qëllimisht”.

Në fakt, në fotografitë e tjera të Lajčák-ut në Twitter, harta nuk është e paraqitur askund. Kjo e shtyn Hoxhën të mendojë se ajo ishte e vendosur qëllimisht aty.

Miroslav Lajčák me në sfond dy piktura, gjatë një video-konference tjetër, pa hartën në sfond

Ose, në raste të tjera, ka hartë, por ajo duket ndryshe.

Dallimi në harta në zyrën e Miroslav Lajčák

“Nuk mendoj se ka perspektivë dialogu me neutralitet të tillë, kur Kosova, edhe nëse vetëm simbolikisht, vendoset bashkë me Serbinë. Përse dialogu atëherë?”, përmbyll Hoxha. 

Çështja ka nxitur edhe reagime të jashtme

Twitter-i po kthehet në një betejë komentesh mbi foton e Lajčák-ut. Politologë dhe studiues mbi Ballkanin kanë shfaqur reagime ndaj zyrtarit të BE-së.

Stephan Israel, ish-gazetar dhe ekspert i politikave të Ballkanit shkruan: “Kosova si pjesë e Serbisë status neutral?”.

Loïc Tregoures, politolog, cilëson se ky “është një konflikt plot simbolika në një dimension shumë konkret, atë të kufijve dhe territoreve”. “Si mund të kemi një hartë të tillë pas tij? Vendosni dy ose asnjë!”.

Reagim ka pasur edhe nga eksperti dhe studiuesi i politikave ballkanike, Florian Bieber. “Po, të kesh një hartë të tillë në zyrë me përshkrimin e punës që ka Lajčák-u, është një gafë e madhe”.

“Ka sigurisht çështje më jetësore. Por, optika ka rëndësi. Ndërkohë që është e vështirë të lexohet një hartë, mund të jetë po aq e lehtë të keqkuptohet. Vendosni një hartë fizike ose hartën zyrtare të BE-së”, përmbyll Bieber postimin e tij.

Reagim nga Majlinda Bregu ndërkohë, ende nuk ka pasur mbi çështjen. Drejtpërdrejt nga Lajčák-u, nuk ka pasur gjithashtu.

Ndërkohë që debati vazhdon, dilema mbetet. Pse ajo hartë në zyrën e Lajčák?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore