Lajme

Lajçak: Kurtit ia bëra me dije rëndësinë e shmangies së çdo lëvizjeje të pakoordinuar


Miroslav Lajçak

Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, tha se kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ia ka bërë me dije rëndësinë e shmangies së çdo lëvizjeje të pakoordinuar që mund të prishë procesin.

Kështu tha diplomati sllovak, në një shkrim përmbledhës të takimeve që zhvilloi në Prishtinë e Beograd si pjesë e përpjekjeve për të të përgatitur terrenin për raundin tjetër të dialogut në nivel kryenegociatorësh në Bruksel, që pritet të mbahet të hënën mes Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviç-it.

“Gjatë takimit diskutuam pritshmëritë për takimin e ardhshëm në Bruksel dhe theksova nevojën për fokus të plotë në normalizimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit. Theksova gjithashtu rëndësinë e shmangies së çdo lëvizjeje të pakoordinuar që mund të prishë procesin”.

Lajçak gjatë vizitës së tij në Kosovë shkoi edhe në pjesën veriore për të parë nga afër situatën. Fatkeqësisht, vazhdoi Lajçak, ajo çfarë dëgjova në takimet me një pjesë të shoqërisë civile dhe partive politike atje “më la të shqetësuar”.

“Fatkeqësisht, ajo që dëgjova më shqetësoi. Prandaj, ritheksova nevojën për të shmangur çdo mundësi përshkallëzimi dhe përqendrim të plotë në normalizimin”, shkroi Lajçak, ndërsa tregoi edhe për takimin që pati me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, në Beograd.

“Gjatë takimit tonë, ne diskutuam rrugën përpara për zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe Aneksit të 18 marsit për t’u përgatitur për takimin në Bruksel që do të zhvillohet nesër. Pres që të dy kryenegociatorët të jenë të gatshëm të bien dakord për hapat konkretë drejt zbatimit të Marrëveshjes”.

Ndryshe, të hënën diplomati sllovak do të pres në takim kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviç, i cili do të ketë në fokus zbatimin e sekuencuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore