Lajme

Lajçak: Kemi nevojë urgjente për një zgjidhje politike, dhuna s’është e pranueshme


I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur pas situatës së krijuar në Veri të Kosovës.

Sipas diplomatit sllovak gjithë në këtë mes Kosova dhe Serbia kanë nevojë urgjente për një zgjidhje politike.

“Gjatë dy ditëve të fundit, ndoqa Forumin e Sigurisë në Bratislavë. Gjatë takimeve dhe bisedave të mia të shumta kam diskutuar për situatën në Ballkanin Perëndimor, në veçanti për tensionet dhe përshkallëzimin në Veri të Kosovës. Ne kemi nevojë urgjente për një zgjidhje politike. Dhuna nuk është e pranueshme”, ka shkruar Lajçak në një postim në rrjetin e tij social në Twitter.

Ndryshe Lajçak këtë të mërkurë në prani të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Borrell pas takimit përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter ka thënë se është nevoja që të depërshkallëzohet urgjentisht situata në Veri.

“Takova kryeministrin Albin Kurti në Bratislavë për të diskutuar tensionet në Veri të Kosovës. Situata aktuale është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme. Ne kemi nevojë për depërshkallëzimin urgjent dhe një zgjidhje përmes dialogut për t’iu rikthyer punës sonë për zbatimin e Marrëveshjes së arritur”, shkroi Borrell në Twitter.

Për këtë takim u deklarua edhe kryeministri Kurti.

Ai gjatë një paneli në Forumin “Globsec 2023” në Bratislavë deklaroi se u ka bërë të qartë Borrellit dhe Lajçakut se “do të kishte pasur mirëkuptim nëse protesta e serbëve në Veri do të ishte paqësore”.

“Nëse duan protesta paqësore, atëherë kanë një kryeministër që ka qenë gjithë jetën aktivistë politikë, jam i gatshëm t’i dëgjojë e të pajtohem me ta ndoshta“, ka thënë Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore