Lajme

Lajçak, Escobar, Palmer e Peach – kush janë katër të dërguarit e posaçëm në Ballkanin Perëndimor?


Vendet Perëndimore kanë katër të dërguar të posaçëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Përveç Stuart Peach, të emëruarit të fundit nga Mbretëria e Bashkuar, emisarë në Ballkan kanë edhe Shtetet  e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Por kush janë këta emisarë?

Mirosllav Lajçak është përfaqësues i posaçëm i BE-së. Ai e ka marrë këtë pozitë në prill të vitit 2020.

Më 3 prill 2020 kishte ardhur njoftimi se Miroslav Lajçak është edhe zyrtarisht Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe për çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.

Këshilli i BE-së përmes një njoftimi për media theksonte se detyra e Përfaqësuesit të ri Special të BE-së do të jetë arritja e një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.

Mandati fillestar i Lajçakut, ish ministrit të Punëve të Jashtme të Sllovakisë, si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun Prishtinë- Beograd do të jetë 12 muaj.

Mirosllav Lajçak, përfaqësues i posaçëm i BE-së në Ballkanin Perëndimor

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dy emisarë për këtë rajon.

Gabriel Esocbar është përfaqësues i posaçëm i Shteteve të Bashkuara. Këtë pozitë, ai e ka marrë në shtator të këtij viti. Deri atëherë, ai ka qenë zëvendës ambasador i SHBA-së në Serbi.

Në njoftimin e Departamentit të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, thuhej se Escobari “po punon në dialogun Kosovë – Serbi, që po lehtësohet nga BE-ja, sigurimin për anëtarësimin rajonal (Ballkanin Perëndimor) në BE dhe presionin e udhëheqësve të Bosnjës për të çuar përpara reformën dhe respektimin e sovranitetit/integritetit territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës

Në një postim në Facebook, Ambasada amerikane kishte uruar përfaqësuesin e ri për Ballkanin Perëndimor, ndërsa theksonte se Escobar tashmë është duke punuar në dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Urime përfaqësuesit të ri special në Ballkanin Perëndimor, zëvendës ndihmës sekretarit Gabriel Escobar! Ai tashmë është duke punuar në dialogun Serbi-Kosovë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke siguruar aderimin e rajonit në BE dhe duke ushtruar presion ndaj krerëve të Bosnjës për të çuar përpara reformën dhe për të respektuar sovranitetin/integritetin territorial të BeH”, thuhej në postimin e Ambasadës amerikane në Kosovë.

Gabriel Esocbar, përfaqësues i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor

Edhe Mathew Palmer është emisar i SHBA-së për këtë rajon. Palmer është përfaqësues i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për reformën zgjedhore në Bosnjë-Hercegovinë.

Palmer ka mbajtur më parë pozitën e zëvendësit të ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit.

Mathew Palmer, emisar i SHBA-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor

Dje, Mbretëria e Bashkuar ka emëruar si përfaqësues të posaçëm për Ballkanin Perëndimor Stuart Peach.

Peach, i cili mban titullin “Sir”, ka qenë shefi i Komitetit ushtarak të NATO-s dhe shef i Shtabit të Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar. Më 2000, Peach ka qenë edhe komandant i forcës ajrore të NATO-s në Kosovë.

Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, u tha se do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen dhe për të promovuar integrimin euroatlantik të rajonit.

Po ashtu, Peach do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor, me të tjerët në rajon, dhe aleatët në SHBA dhe Evropë, për të mbështetur dhe përforcuar stabilitetin rajonal.

Sir Stuart Peach do ta marrë detyrën e re pasi të ketë dhënë dorëheqje nga detyra e Kryetarit të Komisionit Ushtarak të NATO-s, një rol të cilin e mban prej vitit 2018, ndërkaq ai ka shërbyer edhe si Shef i Shtabit të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.

Përveç Mbretërisë së Bashkuar që emëroi një ditë më parë Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, rajoni ka përfaqësues special edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, që përveç që do të merren me rajonin në përgjithësi, merren edhe çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Stuart Peach, përfaqësues i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar, për Ballkanin Perëndimor

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore