Art&dizajn

Lagje me shtëpi 3D në California


Qyteti Rancho Mirage në California do të ketë së shpejti në mesin e tij, lagjen e parë amerikane me shtëpi tërësisht të përbëra nga printime 3D.

Agjencia e lajmeve, The Guardian, zbulon se projekti do të jetë fryt i bashkëpunimit të dy kompanive kaliforniane. Palari-t, një grup i qëndrueshëm i zhvillimit të pasurive të patundshme dhe Mighty Buildings, një kompani e teknologjisë së ndërtimit.

Ngastra e tokës prej pesë hektarësh do të shndërrohet në një komunitet të planifikuar që do të strehojë 15 shtëpi ekologjike të printuara 3D, të cilat pretendohet të jenë të parat e këtij lloji.

“Ky do të jetë konkretizimi i parë në terren i vizionit tonë për të ardhmen e strehimit”, është shprehur bashkëthemeluesi dhe drejtuesi kryesor i funksionimit të Mighty Buildings, Alexey Dubov.

Lidhur me mekanizmin e ndërtimit, kompania përdor materiale që kanë potencialin të ngurtësohen menjëherë duke mundësuar që çatia, shtresa izoluese apo dalja e jashtme të bëhen pjesë e një procesi të vetëm.

Sipas Mighty Buildings, mund të automatizohet deri në 80% e ndërtimit, me 95% më pak orë pune dhe 10 herë më pak inerte krahasuar me ndërtimin konvencional.

Potenciali ndërtues vjen prej printerëve, të cilët kanë kapacitetin të ndërtojnë një shtëpi me sipërfaqe prej 350 metrash katrorë në më pak se 24 orë.

Bashkëthemeluesi tjetër dhe njëkohësisht, shefi i qëndrueshmërisë te Mighty Buildings, Sam Ruben, ka ndarë një detaj interesant duke treguar se shpesh printerët vendosen të ndërtojnë një shtëpi brenda natës teksa punëtorët janë duke fjetur.

Rubën ka shtuar se “në fakt ne jemi të kufizuar më shumë prej transportit rrugor të ndërtesave se sa prej aftësisë aktuale për të printuar”.

Anës teknologjike do i shtohet edhe shija arkitekturore. Shtëpitë do i përkasin arkitekturës moderne të mesit të shekullit. Pjesa e brendshme do të përbëhet nga një dhomë kryesore, tre dhoma gjumi dhe dy banja. Sipërfaqja e përgjithshme e rezidencave do të jetë 1 mijë e 450 metra katrorë së bashku me një hapësirë shtesë prej dy dhomash.

Nuk mbaron këtu. Një pjesë tjetër prej 10 mijë metrash katrorë do të në oborrin e pasmë pishinë dhe hapësira të bollshme për vaska të nxehta, gropa zjarri apo dushe në natyrë.

Për sa i përket çmimit të një shtëpie, The Guardian tregon se do të fillojë nga 595 mijë dollarë për modelin bazë deri në 950 mijë dollarë për konfigurimet me dy shtëpi.

Mirëpo, ndryshe nga ç’pretendon kompania, ky nuk është projekti i parë i llojit të vet. Në vitin 2019, një organizatë jofitimprurëse në Meksikë njoftoi printimin 3D të shtëpive për familjet me të ardhura të pakta. Ato janë planifikuar që të instalohen këtë vit në Austin të Texas-it.

The Guardian shpjegon se shtimi i shtëpive të printuara në 3D vjen teksa kriza e strehimit në California është rëndohet. Deri në vitin 2025, shteti ka nevojë ndërmjet 1.8 milionë dhe 3.5 milionë njësive të reja të banimit. Kjo për të adresuar mungesën e tyre dhe akomodimin e popullsisë që është parashikuar në rritje e sipër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore