Përballje

La Liga, luajnë kryesuesit


Elita e futbollit spanjoll vazhdon të dielën me katër ndeshje tjera shumë interesante.

Sot, në aksion vijnë të gjithë pesë skuadrat e para.

Real Madrid, Real Sociedad, Sevilla, Atletico Madrid, Real Betis, të gjitha këto zbresin në fushë.

Ditën do ta fillojë skuadra e vendit të pestë, Real Betis.

Në orën 14:00, para publikut të zjarrtë në “Benito Villamarin”, skuadra e Pellegrini-t, pret skuadrën e fundit në tabelë, Levante-n.

Pas 14 takimesh, Betis ka 24 pikë, në një nga fillimet më të mira në historinë e tyre, kurse krejt ndryshe është historia për Levante-n.

Skuadra nga Valencia ndodhet e fundit, me zero fitore dhe shtatë barazime pas 14 ndeshjeve.

Betis kërkon që me një fitore të përfitojë nga ndeshjet direkte të kundërshtarëve.

Më vonë, në orën 16:15, në program ndeshjen e saj e ka skuadra e dytë në tabelë, Real Sociedad.

Sociedad-i, skuadër e pamposhtur në 13 ndeshjet e fundit, po përjeton fillimin më të mirë të sezonit në historinë e klubit.

Sot, me një fitore, ata do kërkojnë që të mbajnë hapin me kryesuesit me një transfertë të vështirë te Espanyol-i.

Katalunasit ndodhen në vendin e 11-të, me 17 pikë.

Në orën 18:30, radhën e kanë vendi i katërt dhe kampionët në fuqi, Atletico Madrid.

Skuadra e Simeone-s që po kalon një formë shumë të mirë, udhëton për t’u përballur me Cadiz-in.

Atletico vjen në këtë ndeshje pasi ka rrezikuar jashtëzakonisht shumë eliminimin nga Champions, me humbjen përballë Milan-it.

Sonte ata përballen me Cadiz-in e vendit të shtatë, që kërkon dëshpirimisht shkëputjen nga zona e ftohtë, me një tre pikësh eventual.

Kurse, në mbrëmje, është rezervuar edhe takimi kryesor i javës në La Liga.

Në mitikun “Santiago Bernabeu”, Real Madrid-i i vendit të parë e pret Sevilla-n e vendit të tretë.

Ndeshja që gjithmonë premton spektakël, pritet që edhe sonte të dhurojë spektakël.

Mungesa te dy klube ka, por jo të mëdha.

Real-i është e pamposhtur në tetë ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, derisa në këtë ndeshje vjen pasi siguroi kualifikimin tutje në Champions League.

Pesë ndeshjet e fundit mes të dy skuadrave kanë përfunduar me katër fitore të Real-it dhe një barazim, me skuadrën e Ancelotti-t që sonte kërkon ta vazhdojë ecurinë e mirë ndaj andaluzëve.

Një fitore eventuale, e largon Real-in pesë pikë nga Sevilla, kurse një fitore e andaluzëve do të thotë ngjitje mbi madrilenët.

Këto katër ndeshje mbyllin ditën e dielë, derisa me duelin Osasuna – Elche të hënën, mbyllet java e 15-të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore