Kosova

Kyuchyuk: BE-ja t’i heq vizat për Kosovën


Anëtari i Parlamentit Evropian nga Bullgaria, Ilhan Kyuchyuk

“Është koha e fundit që BE t’i japë Kosovës liberalizimin e vizave dhe të gjitha vendet anëtare të BE-së ta njohin vendin për të ecur përpara në integrimin e saj euroatlantik”.

Kështu ka shkruar në Twitter anëtari i Parlamentit Evropian nga Bullgaria, Ilhan Kyuchyuk, duke shtuar se “ky ishte mesazhi im për Presidentin e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Ministren e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz” në kuadër të Forumit Diplomatik në Antalia.

 

Diplomatin bullgar e ka falënderuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një cicërime në Twitter.

“Faleminderit Ilhan Kyuchyuk për mbështetjen tuaj të vazhdueshme. E lumtur që të takova në Forumin Diplomatik në Anatlia”, ka shkruar Osmani.

Ndryshe më 10 mars, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, në një konferencë për media pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ka potencuar se “Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave”.

Por, tani sipas saj, “punën duhet ta kryejë edhe Bashkimi Evropian”.

“Ne kemi folur edhe për rrugën e reformave të forta të cilën e ka nisur qeveria juaj. Luftimi i korrupsionit, forcimi i sundimit të ligjit, ju në këtë rrugë e keni mbështetjen tonë të plotë. Kjo tregon shumë mund dhe nuk bëhet brenda ditës”, pati thënë Baerbock.

Annalena Baerbock

Edhe eurodeputetja në Parlamentin Evropian dhe raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, më katër mars kishte thënë nga Kosova se Bashkimi Evropian është katër vjet me vonesë për t’ia dhënë Kosovës liberalizimin e vizave.

Cramon, madje veten e ka cilësuar si “avokuesja më e madhe e liberalizimit të vizave për kosovarët”.

Eurodeputetja shpreson se procesi i liberalizimi të vizave do të ec përpara pas zgjedhjeve në Francë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore