Shqipëria

Ky është suksesi juaj dhe i qytetarëve shqiptarë, thotë von der Leyen


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e konsideroi 19 korrikun si ditën e suksesit të qeverisë dhe qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë punuar kaq shumë.

Lajmi u bë i ditur gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe homologun e tij maqedonas Dimitar Kovaçevski.

“Ky është suksesi juaj dhe i qytetarëve tuaj që keni punuar kaq shumë. Keni treguar durim dhe këmbëngulje dhe keni pasur besim drejt procesit të BE-së”, u shpreh fillimisht shefja e KE-së.

Sipas saj, ndryshimi ka ardhur jo vetëm aty ku ka qenë e detyrueshme për rrugën drejt unionit, por sepse janë të mira për Shqipërinë dhe RMV-në.

Zyrtarja e lartë evropiane ravijëzoi mbështetjen e institucionit që përfaqëson edhe në vijim të procesit.

“Ne si Komision Evropian ju kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë ta bëjmë”, shtoi von der Leyen.

Ajo vërejti se pas Konferencës së Parë Ndërqeveritare “IGC-së” së sotme, fillon puna për qeverinë shqiptare dhe atë maqedonase.

“Le të reflektojmë në tre tema. Së pari me negociatat. Pas IGC-së, KE-ja dhe grupet negociuese do të fillojnë punë”, theksoi shefja e Komisionit.

Von der Leyen garantoi se të dyja palët do të kalojnë përmes procesit të screening-ut.

Ky shortim, tha zyrtarja evropiane, do të bëjë të mundur që Shqipëria dhe RMV-ja të dinë detyrimet sa i takon traktateve mbi marrëveshjet evropiane.

Ndërsa pika e dytë lidhet me përafrimin në fusha kyçe.

Presidentja e KE-së sqaroi se Shqipëria do të bashkohet me BE-në për mbrojtjen civile evropiane, emergjencat civile, apo aspekte të tjera.

Në përmbyllje, ajo rezervoi dhe disa fjalë vlerësimi për kryeministrin shqiptar.

“Zoti Rama, keni treguar vizion, lidership, durim strategjik, jo vetëm kaq por në këto kohë me sfida të mëdha të sulmit brutal rus, keni treguar bashkimin tuaj me vlera evropiane si partnerë të vërtetë”, deklaroi von der Leyen.

Për shefen e KE-së, Shqipëria dhe RMV-ja e meritojnë integrimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore