Shqipëria

“Ky është qëndrimi i vërtetë i Shqipërisë për gjenocidin e Srebrenicës”


“T’i referohesh gjenocidit si një ‘mit i sajuar’ apo si ‘mashtrimi më i madh i shekullit XX’, në një mohim deluziv, është një fyerje ndaj më shumë se 8 mijë civilëve që u masakruan në Srebrenicë”.

Janë këto fjalët e ambasadorit të përhershëm të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, të postuara nga kryeministri i vendit, Edi Rama, për të treguar qëndrimin e Qeverisë ndaj “masakrës në Srebrenicë”.

“Kjo video është për ata që akoma budallallepsen nga shejtanbudallallëqet e një të damkosuri botërisht si Katrani me Bojë i Shqipërisë”, shkruan Rama.

Ai, nëpërmjet deklaratës së Hoxhës, thekson se, Shqipëria është kundër retorikës politike të mohimit të gjenocidit të kryer në Srebrenicë.

“Çdo hap i gabuar në Bosnjë dhe Hercegovinë rrezikon të prekë rajonin e gjerë. Prandaj, nuk është për t’u habitur që një sjellje e tillë e papranueshme u sanksionua me të drejtë dhe ne mirëpresim veprimet e ndërmarra nga SHBA dhe Britania e Madhe kundër Dodikut për përpjekjet e tij të vazhdueshme dhe të qëllimshme për të minuar funksionimin e shtetit dhe paqen e fituar me vështirësi në Bosnje-Hercegovinë”, shprehet ambasadori shqiptar më 11 maj.

Po ashtu, Qeveria shqiptare dënon me vendosmëri glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes me sharje etnike.

I gjithë debati nisi pasi mazhoranca votoi kundër një projekt-rezolute të propozuar në Kuvend nga Sali Berisha “për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinë”.

“Votuat sipas urdhrit të Aleksandër Vuçiç. Shqipëria nuk ka pasur kurrë më anti-shqiptar se Edi Rama. Votuat duke shkelmuar mbi jetët e 10 mijë shqiptarëve në Kosovë”, tha Berisha menjëherë pas votimit.

Më herët, gjatë fjalës së tij në Kuvend, u shpreh se njohja e gjenocidit në Srebrenicë është një akt i domosdoshëm për kombet dhe shoqëritë e civilizuara.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se rrëzimi i rezolutës nuk ka të bëjë me përmbajtjen e saj.

Por se mazhoranca nuk do të votojë kurrë një propozim të ardhur nga një person i shpallur non grata, Sali Berisha.

“Dua të sqaroj se qëndrimi ynë kishte dhe ka të bëjë me faktin se njëri prej deputetëve propozues quhet Sali Berisha, i cili me vendimin që ne kemi marrë, është i papranueshëm për çfarëdolloj propozimi”, tha Balla në fjalën e tij.

Sipas deputetit të PS-së, qëndrimi i Shqipërisë ndaj masakrës serbe në Srebrenicë është tepër i qartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore