Lajme

Kuvendi ua ndau mbi 4 milionë euro partive politike, partitë i shpenzuan të gjitha


Ilustrim

Për çdo vit, nga Buxheti i Republikës së Kosovës ndahen mjete për subjektet politike parlamentare, të cilat kanë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Për 12 muajt e vitit 2021, ky buxhet kapi shifrën 4 milionë e 200 mijë euro. Ndarje kjo e cila është e rregulluar me ligjin e Buxhetit të Kosovës 07/L -041.

Albanian Post ka siguruar të dhëna se nga sa mjete kanë përfituar subjektet politike parlamentare, nga ky fond që menaxhohet nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ).

Gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit 2021, sipas vendimit të KQZ-së, është transferuar buxheti në shumë prej 3 milionë e 901 mijë e 615 euro (3.901.615.94) për 17 subjekte politike.

Sipas numrit të ulëseve në Kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë më së shumti para nga shteti përgjatë vitit të kaluar, meqë edhe i ka 58 deputetë.

KQZ i ka ndarë 1.696.026.95 euro dhe për 12 muajt e kaluar, Vetëvendosje ka deklaruar se i ka shpenzuar cent më cent, 100 për qind.

E radhitur e dyta, për shkak të numrit të deputetëve, 19, Partia Demokratike e Kosovës ka shpenzuar 647.081.42 euro, aq sa edhe i janë ndarë nga KQZ.

Për 15 deputetë të LDK-së, kjo parti e radhitur si e treta ka shpenzuar 578.605.11 euro përgjatë 12 muajve të vitit 2021, po aq sa edhe i janë ndarë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me 8 ulëse në Kuvendin e Kosovës, ka marrë dhe shpenzuar 100%, 290.419.32 euro.

Dhe Lista Serbska, me 10 ulëset e garantuara nga shteti, ka marrë nga buxheti i Kosovës dhe i ka shpenzuar të gjitha 326.214.71 euro.

Ndërsa nga Fondi për Grupet Parlamentare, mjete këto të cilat ndahen nga arka e shtetit për Financimin e Subjekteve Politike bazuar në ligjin 03/L-174 të ndryshuar dhe plotësuar me ligjin 05/L-058 se “dhjetë përqind (10%), e shumës së ndarë nga Fondi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, të shkojnë në mbështetje të punës të secilit deputet”.

271.477.87 euro janë alokuar për grupet parlamentare dhe, sipas kërkesave të tyre, janë bërë të gjitha pagesat duke përfshirë edhe pagat e stafit.

Sipas këtyre kalkulimeve, Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje i janë ndarë 128.765.66 euro, për të cilat Vetëvendosje ka deklaruar se i ka shpenzuar të gjitha përgjatë 12 muajve të vitit të kaluar.

Grupi Parlamentar i PDK-së ka shpenzuar 50.010.28 euro, aq sa edhe i janë ndarë.

Ndërsa Grupi Parlamentar i LDK-së ka shpenzuar gati përgjysmë më pak se PDK. 25.277.98, aq edhe sa i janë ndarë.

Grupi Parlamentar i AAK-së ka shpenzuar 22.917.58 euro.

Dhe Lista Serbe 22.654.88 euro, fiks aq sa edhe janë ndarë.

Mjetet Financiare të dedikuara për subjektet politike, në bazë të ligjit, janë transferuar në llogaritë e secilit subjekt të cilët janë përfitues nga ky fond.

Ndërsa mjetet e ndara për Grupet Parlamentare janë menaxhuar nga sekretari i Sekretariatit të KQZ-së dhe me kërkesat e Grupeve Parlamentare janë kryer të gjitha transaksionet e nevojshme për shpenzimet e aktiviteteve të Grupeve Parlamentare.

Subjektet Politike, në bazë të memorandumit të nënshkruar me Sekretariatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë obliguar që të raportojnë për çdo tremujor për shpenzimin e mjeteve që iu është transferuar në llogarinë e subjektit politik.

Gjatë vitit 2021, nga Fondi i Mbështetjes së partive politike janë shpenzuar 4.173.093.81 euro, ose 99.36% e mjeteve të ndara janë shpenzuar.

Më poshtë mund të gjeni tabelat me të gjitha partitë politike parlamentare në Kosovë dhe ndarjen buxhetore për to, përgjatë vitit 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore