Shqipëria

Kuvendi shqiptar mund të ratifikojë më 7 korrik pranimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO


Një grup prej më shumë se 28 deputetësh të Grupit Parlamentar të Socialistëve ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për të vendosur në seancë ratifikimin e pranimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO.

Deputetët kërkojnë shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjeve: “Për Ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për aderimin e Republikës së Finlandës” dhe “Për propozimin e projektligjit “Për Ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për aderimin e Mbretërisë së Suedisë”.

Kanadaja dhe Danimarka ishin shtetet e para të cilat ratifikuan ligjin.

“Sot, Kanadaja u bë vendi i parë që ratifikoi protokollet e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO… si një mik i ngushtë dhe partner i sigurisë, Kanadaja mbështet fuqimisht pranimin e tyre në NATO. Anëtarësimi i tyre do ta bëjë NATO-n më të fortë dhe ne u bëjmë thirrje të gjithë aleatëve që të përfundojnë shpejt procedurat e ratifikimit për të ngushtuar hapësirën që armiqtë tanë të ndërhyjnë”, theksoi kryeministri kanadez Justin Trudeau.

Megjithatë, Trudeau bëri një lapsus pasi Danimarka ishte e para.

Ata e pranuan ratifikimin dy orë pas nënshkrimit të protokolleve në selinë e NATO-s.

“Ratifikimi i Danimarkës në lidhje me anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë ka përfunduar. Shpresoj për të njëjtin ratifikim të shpejtë nga të gjithë aleatët”, nënvizoi Ministria e Jashtme daneze.

Në mes të majit, Finlanda dhe Suedia aplikuan për t’u anëtarësuar në NATO.

Në të njëjtën ditë, ambasadorët e Aleancës u takuan për të nisur negociatat për anëtarësimin e vendeve skandinave në bllokun ushtarako-politik.

Megjithatë, Turqia e bllokoi procesin me kundërshtimin e saj.

Në samitin e NATO-s në Madrid, Finlanda dhe Suedia u ftuan zyrtarisht për t’iu bashkuar bllokut ushtarako-politik.

Para fillimit të aktivitetit u nënshkrua një memorandum mes vendeve skandinave dhe Turqisë.

Të treja shtetet tani janë “të detyruara t’i japin njëra-tjetrës mbështetje të plotë kundër kërcënimeve të sigurisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore