Lajme

Kuvendi procedon për mendim në Qeveri Projektligjin për tërheqjen e Trustit


Foto ilustrim nga Albanian Post.

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të dërgojë në Qeveri për mendim projektligjin për plotësim/ndryshimin e Ligjit për fondin pensional të Kosovës që mundëson tërheqjen deri në 30 për qind nga Trusti, bazuar në peticionin e nënshkruar nga 20 mijë qytetarë.

Kjo është vendosur ne mbledhjen e së enjtes që të dërgohet në Qeveri për mendim edhe projektligji për pensionet e zyrtarëve policorë.

Kuvendi në muajin qershor kishte refuzuar që të tërhiqen paratë nga Trusti.

Protesta e mbajtur nga qytetarët për Trustin.

Në muajin korrik kishte nisur një peticion nga Partia Demokratike e Kosovës i cili ishte nënshkruar nga 21 mijë qytetarë.

Sipas propozimit të Partisë Demokratike të Kosovës, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.

Ata që kanë deri 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë – 20 për qind.

Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind të shumës.

Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, në seancën e të enjtes e ka përmendur tërheqjen nga Trusti si një nga pesë masat që i propozon PDK-ja për dalje nga kriza ekonomike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati potencuar se që tërheqja e parave nga Trusti nuk e zgjidh problemin e qytetarëve.

“Kemi thënë edhe më herët edhe si opozitë në 2020, edhe 2021 në qeveri me Pakon e Ringjalljes Ekonomike e zbusim krizën, mirëpo nuk konsiderojmë që duke marrë nga pleqëria individuale e punëtorëve të tanishëm do të mund ta zgjedhim problemin”, kishte theksuar Kurti.

Edhe dy ekspertë të FMN-së e kanë dhënë vlerësimin se një zgjidhje e tillë nuk është zgjidhje.

Një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19.

Nga Trusti ishin tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontributpagues. Tërheqja ishte bërë pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore