Lajme

Kuvendi mban seancë, shqyrtohet Projektligji mbi ndarjet buxhetore për vitin 2023


Këtë të enjte në ora 10:00 në Kuvendin e Kosovës do ta mbahet seancë ku do të shqyrtohet në lexim të parë Projektligji mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2023.

Të mërkurën, Partia Demokratike e Kosovës, përmes një konference për media ka kritikuar qasjen e Qeverisë së Kosovës në raport me projektbuxhetin e vitit 2023.

Sipas Koordinatorit të Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në kuadër të PDK-së, Arben Mustafa, Qeveria e Kosovës ka shfaqur mungesë të vizionit në hartimin e projektbuxhetit për vitin 2023.

Për Mustafën ky projektbuxhet në asnjë mënyrë nuk reflekton kërkesat e qytetarëve të Kosovës në ekonomi, krijim të vendeve të punës dhe ngritje të kualitetit të jetesës.

“Ky buxhet më së shumti mund të quhet një kopje e dobët e vitit 2022, sepse në shumicën e rasteve është një përsëritje e vitit 2022. Këtij buxheti i mungon ambicia zhvillimore, i mungon orientimi se ku do të jetë Kosova në fund të vitit 2023 – se çfarë Kosove do të kemi në fund të vitit 2023”, ka theksuar ai.

Mustafa shtoi se projekt-buxheti i propozuar në asnjë mënyrë nuk reflekton një strategji të karakterit zhvillimor për vendin, por kryesisht është i bazuar në shpenzime sot-për-sot, të cilat nuk krijojnë kushte për zhvillim afatgjatë.

Ndryshe Projektbuxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2023, është në vlerë 3 miliardë e 212 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore