Shqipëria

Kuvendi i Shqipërisë: Nikolla nis seancën e parë plenare me një minutë heshtje në nderim të Sassoli-t


Pasditen e 17 janarit ka nisur punimet për 2022-shin Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Me hapjen e sesionit të parë për këtë vit, kryeparlamentarja Lindita Nikolla kujtoi presidentin e Parlamentit Evropian David Sassoli, i cili ndërroi jetë javën e kaluar.

Duke e cilësuar si “avokatin mbrojtës” për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimi Evropian, Nikolla kërkoi të mbahej një minutë heshtje në nder të kujtimit të tij.

Më tej, Nikolla prezantoi dhe rendin e ditës.

Ajo theksoi se në këtë seancë plenare pritet një fjalim nga Presidentit i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Ky i fundit ka mbërritur në Shqipëri mëngjesin e kësaj dite, ku vizitoi dhe qytetin e Kurbinit, për ceremoninë e shpërndarjes së çelësave të banesave, të cilat u ndërtuan me financim nga qeveria turke.

Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që tronditi vendin, Qeveria turke u mobilizua për të ndihmuar Shqipërinë.

Më tej, Nikolla prezantoi dhe ndryshimet në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike. Ajo bëri me dije se kreu Alfred Rushaj është zëvendësuar nga Enkelejd Alibeaj.

Si nënkryetar i Kuvendit dhe i PD-së do të jetë Agron Gjekmarkaj.

Ndryshimet e tjera kanë të bëjnë edhe me drejtimin e komisioneve parlamentare dhe në Byronë e Kuvendit.

Kryetare e Komisionit të Shëndetësisë do të jetë Grida Duma, ndërsa Flutura Açka kryetare e Komisionit të Arsimit.

Nënkryetare e Komisionit të Ligjeve është Dhurata Çupi. Edhe për sekretariatin për Buxhetin është zgjedhur Xhelal Mziu.

Te sekretartiati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, Bledion Nallbati, anëtar. Dashnor Sula do të votohet te Sekretariati për Statusin e Deputetit si sekretar.

Ndërsa, në Sekretariatin për Kërkimin Parlamentar, Bibliotekën dhe Botimet është Lindita Metaliaj si anëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore