Lajme

Kuvendi i Malit të Zi mandaton Miodrag Lekiç-in për formimin e qeverisë së 44-të


Miodrag Lekiç

Kryetari i partisë malazeze e qendrës së djathtë “Aleanca Demokratike (DEMOS)”, Miodrag Lekiç, është zgjedhur mandatar për të formuar qeverinë e 44-të të Malit të Zi.

Të paktën kështu ka bërë të ditur Kryetarja e Kuvendit, Danijela Gjuroviç, pasi presidenti Milo Gjukanoviç nuk propozoi një përfaqësues për përbërjen e qeverisë së re në bazë të ndryshimeve në Ligjin për Presidentin e Malit të Zi.

“Deklaroj se përfaqësuesi për përbërjen e qeverisë është Miodrag Lekiç me nënshkrimet e 41 deputetëve. Kjo plotëson kërkesat e nenit 7 të këtij ligji sipas Amendamenteve të Ligjit për Presidentin për Presidentin”, tha Gjuroviç në seancën e Kuvendit, transmeton mediumi malazez “Pobjeda”.

Kujtojmë se pas miratimit të Ligjit për Presidentin, nga disa adresa diplomatike erdhi paralajmërimi se qeveria e formuar në bazë të atyre ndryshimeve do të ishte antikushtetuese.

Një nga mesazhet e fundit drejtuar përfaqësuesve të shumicës parlamentare ka mbërritur të enjten nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Mal të Zi, Judy Rising Reinke, e cila në një bisedë me kryekuvendaren Gjuroviç ka ripërsëritur qëndrimin e SHBA-së se Qeveria e re nuk duhet të formohet në bazë të ndryshimeve në Ligjin për Presidentin.

Ndryshe, Miodrag Lekiç është profesor, politikan dhe ka shërbyer si diplomat i ish-Jugosllavisë në Mozambik dhe Lesoto. Po ashtu, shërbeu edhe në Itali, Maltë dhe San Marino.

Ai ka qenë kryetar i “Frontit Demokratik” nga viti 2012 deri në mars 2015, ndërsa nga viti 2015 është kryetar i partisë “DEMOS”.

Çfarë ka ndodhur nga gushti e deri më sot

Kujtojmë se Qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviç iu votua mosbesimi në gusht, ndërsa në shtator, shumica e re (e vjetër) parlamentare, përkatësisht deputetët e formacionit pro-rus dhe pro-serb “Frontit Demokratik”, “Demokratët”, dhe “URA” arritën marrëveshje që mandatar për formimin e qeverisë malazeze të jetë Miodrag Lekiç.

Mirëpo, kur ia dërguan propozimin e nënshkruar nga 41 deputetë Gjukanoviç-it, ai refuzoi të konsultohet me Lekiç-in, me arsyetimin se shumica nuk e ka respektuar afatin kushtetues për propozimin e mandatarit.

Më pas, shumica parlamentare miratoi ndryshimet në Ligjin për Presidentin, për të cilat Komisioni i Venecias vlerësoi se nuk janë në pajtim me Kushtetutën, ndërsa Komisioni Evropian apeloi që të respektohet zëri i ekspertëve juridikë ndërkombëtarë.

Gjukanoviç më pas nënshkroi dekretin për shpalljen e ndryshimeve në Ligjin për Presidentin, duke theksuar se ky është obligim i tij kushtetues, por edhe se me këtë përfundon e gjithë puna e tij, sepse, siç shtoi ai, nuk dëshiron të marrë pjesë në zbatimin e dispozitave të ligjit, të cilat janë antikushtetuese.

Ndërkaq, pavarësisht thirrjeve publike për zgjedhjen e gjyqtarëve, përfaqësuesit e partive parlamentare nuk kanë arritur ende tek konsensusi dhe të zgjidhnin të paktën një gjyqtar, për të zhbllokuar Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese është pa kuorum për vendimmarrje që nga mesi i shtatorit të këtij viti, madje edhe nëse së shpejti shpallet konkursi i ri për gjyqtarë, Mali i Zi edhe në vitin e ardhshëm mund të hyjë me një Gjykata Kushtetuese jofunksionale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore