Lajme

Kuvendi i Kosovës: Të premten vazhdon seanca plenare


Kuvendi i Kosovës

Të premten e 26 nëntorit do të vazhdojë seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, në të cilën kanë mbetur për shqyrtim edhe gjashtë pika të rendit të ditës, ku ndër to është edhe zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Drejtoria për marrëdhënie me publikun e Kuvendit, me anë të një njoftimi ka thënë se vazhdimi i seancës është paraparë që të vazhdoj nga ora 10:00 e mëngjesit.

Në vazhdim të kësaj seance do të shqyrtohen edhe tri projektligje, gjithashtu do të zgjedhet zëvendësdrejtori i Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit.

Kuvendi i Kosovës

Gjashtë pikat e mbetura që do të shqyrtohen në seancë janë:

  1. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-065 për Produktet Biocide,
  2. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08-L-022 për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike,
  3. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-029 për punimet nga metalet e çmuara,
  4. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2020,
  5. Zgjedhja e zëvendësdrejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit dhe
  6. Zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Ndërsa gjatë së enjtes Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për buxhetin e vitit 2022.

Me 65 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit kanë votuar projektligjin 08 L-66.

Buxheti i planifikuar për vitin e ardhshëm është 2.7 miliardë euro.

Ndërsa kryetari i komisionit për financa, Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që të përshpejtohen procedurat e shqyrtimit nëpër komisione të projektligjit dhe të bëhet miratimi i ligjit para vitit të ri.

Ky propozim u votua, por u kundërshtua nga partitë opozitare.

Deputetët e opozitës gjatë seancës kanë akuzuar qeverinë se ka bërë ndarje politike në buxhet. Sipas tyre qeveria “dënoi komunat” në të cilat ka udhëhequr opozita gjatë zgjedhjeve, gjithashtu ata kanë akuzuar ashpër kryeministrin Kurti se po vazhdon të bëjë pikërisht atë që dikur e kritikonte vet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore