Lajme

Kuvendi i Kosovës nuk e miratoi zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka miratuar dy marrëveshje ndërkombëtare, atë të marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhillim i cili është program për mbështetje shëndetësore.

Ndërkaq, marrëveshja e dytë që u votua është projektligji për ratifikimin e amendamentimit nr.1 të Marrëveshjes kornizë së kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”.

Këto dy marrëveshje u miratuan me 84 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Mirëpo, ky kuvend i së premtes, nuk arriti t’i miratojë dy marrëveshje të tjera.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se nuk ka kushte për votim, për shkak se munguan votat “për” nga deputetët e kësaj legjislature.

Marrëveshjet për të cilat nuk pati kushte për votim janë Projektligji nr.08/L-006 për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10.

Si dhe Projektligjin nr.08/L-008 për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim të zbatimit të Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+).

Nuk kaloi as Marrëveshja e Uashingtonit.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar që të miratojnë një rezolutë për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, të arritur më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë.

Zbatimi i kësaj marrëveshje, e propozuar në Kuvend nga Lidhja Demokratike e Kosovës morri vetëm 24 vota për, ndërsa 50 të tjerë e refuzuan zbatimin e sajë, ndwrsa në sallë ishin 83 deputetë.

Rezoluta ftonte Qeverinë e Kosovës të zbatonte këtë marrëveshje dhe të përgatiste një plan-veprim që do t’i dorëzohej kuvendit. Debati për këtë rezolutë ishte zhvilluar më 7 korrik.

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar që presin nga Kosova dhe Serbia t’iu përmbahen detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Uashingtonit.

Përndryshe, rezolutat e miratuara nga kuvendi nuk janë detyruese, por pasqyrojnë vullnetin politik.

Punimet në këtë seancë plenare filluan me kërkesën e Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, drejtuar qytetarëve të Republikës, që të vaksinohen kundër COVID-19.

“Për shkak se vaksinimi është i domosdoshëm ashtu që ta ruajmë shëndetin tonë të përbashkët publikë. Sa më shumë qytetarët të vaksinuar aq më i mbrojtur shëndeti jonë, aq shumë qytetarë të vaksinuar aq më e mbrojtur ekonomia jonë e aq më pak gjasa për mbyllje totale”, ka thënë Konjfuca.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila, i është bashkangjitur kësaj kërkese.

“Rritja e numrit të infektuarve e rrit edhe domosdoshmërinë dhe urgjencën për votimin për marrëveshjet ndërkombëtare dy prej të cilave lidhen drejtpërdrejtë me masat për parandalimin e luftimin e pandemisë apo për ndihmën e sektorit të shëndetësisë”, ka thënë Kusari-Lila.

Thirrjet për vaksinim në Kuvendin e Kosovës janë bërë përmes afisheve me moton “Vaksinohu! Shpëto jetë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore