Lajme

Kuvendi i Kosovës miraton 15 projektligje për shëndetësi


Kuvendi i Kosovës.

Kuvendi i Kosovës në seancën e të martës ka miratuar 15 projektligje të sektorit të shëndetësisë që janë në harmonizim me ligjin për kundërvajtje.

Ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku ka prezantuar këto projektligje në pako.

“Projektligjet e sektorit të shëndetësisë, kanë për qëllim harmonizimin e dispozitave ligjore konform nenit 167 të Ligjit për kundërvajtje, me të cilin është përcaktuar që me hyrjen në fuqi të Ligjit për kundërvajtje të gjitha institucionet kanë pasur për obligim që brenda afatit prej një viti, nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji në vitin 2017 të harmonizohen ligjet përkatëse”, ka thënë Gexha-Bunjaku.

Ajo ka thënë se prej vitit 2018, ministria e Shëndetësisë një gjë të tillë nuk e ka realizuar.

“Andaj, me qëllim të adresimit të obligimit ligjor është bërë harmonizimi i projektligjeve në fushën e shëndetësisë, i cili do të fuqizojë mekanizmat e kontrollit të mbikëqyrjes në shqiptimin e sanksioneve kundërvajtës nga inspektorati shëndetësore, ai farmaceutik, dhe inspektorati sanitar në pajtim me ligjin për kundërvajtje”.

Ajo shtoi se, “miratimi projektligjeve për plotësim ndryshimin e ligjeve në sektorin e shëndetësisë do të krijoj një siguri juridike për mbrojtjen e shëndetit përmes së cilës nga inspektoratet relevante, do të ndëshkohet personi fizik, dhe personi përgjegjës i pësonit juridik”.

Ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku

Ndërsa, ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka theksuar se sjellja e 15 ligjeve për plotësim ndryshim për këtë sektor është më shumë improvizim se sa ndryshim përmbajtjesor.

“Sjellja e 15 ligjeve për plotësim ndryshim në sektorin e shëndetësisë është më shumë improvizim se sa ndryshim përmbajtjesor, edhe I cili do të avanconte shërbimet shëndetësore apo edhe ruajtjen e shëndetit publik. Qeveria duhet t’i kthehet seriozitetit të punës, dhe jo improvizimeve sidomos në fushën e shëndetësisë”, tha Zemaj.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se ka nevojë për një reformë më të thellë në sistemin shëndetësor.

“Këtu po shohim projektligje tejet të rëndësishme, siç është edhe projektligji për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse. Jemi duke kaluar në një kohë pandemie ku besoj që pikërisht ndërhyrjet në këtë ligj janë tejet të nevojshme në mënyrë që ta bëjmë edhe më të zbatueshëm dhe të jemi më efikas në parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19”.

Tahiri ka shtuar se “është edhe projektligji për sigurime shëndetësore. Këtu na duhet një debat më i thellë pasi qytetarët e vendit tash e një kohë të gjatë i presin”.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri

15 projektligjet që kanë kaluar të martën në kuvend, janë disa prej tyre: Projektligji për plotësim ndryshimin e ligjit për shëndetësi, Projektligji për plotësim ndryshimin e ligjit për sëmundjet ngjitëse, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurimin shëndetësor, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shëndetësi publike.

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shërbimin mjekësor emergjent, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për transplantimin e indeve dhe qelizave, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin e duhanit, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për gjak dhe përbërës të gjakut, projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërprerjen e shtatzënësisë, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shëndetin riprodhues, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin sanitar të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore