Lajme

Kuvendi i Kosovës me seancë të jashtëzakonshme për Referendumin serb


Kuvendi i Kosovës

Gjatë ditës së shtunë të 15 janarit Kuvendi i Kosovës me fillim prej orës 14:00 do të mblidhet për të mbajtur një seancën të jashtëzakonshme për të diskutuar në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Kosovës.

Gjatë seancës pritet që të nxirret një rezolutë e përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve mbi çështjen e referendumit serb.

Në këtë seancë nuk do të marrë pjesë Partia Demokratike e Kosovë, pasi sipas tyre një seancë e tillë është e pakuptimtë.

“PDK-ja është kundër mbajtjes së referendumit serb në Kosovë, por, megjithatë, Qeveria do të duhej të kishte koordinim më të mirë me shtetet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë kësaj periudhe”, kishte thënë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, të premten në një konferencë për media.

Në anën tjetër Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pritet të jenë prezentë në këtë seancë të jashtëzakonshme.

Referendumi që pritet të mbahet në Serbi ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese atje. Qeveria deklaroi para disa ditësh që nuk do të lejohet mbajtja e këtij Referendumi edhe në territorin e Kosovës.

Në anën tjetër, shtetet e QUINT-it, SHBA-të, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Bashkimi Evropian, kanë kërkuar nga qeveria që të mos ndalohet votuesi serb i Kosovës të votojë në referendum.

Mospajtimi ka bërë që të organizohet një takim urgjent mes Albin Kurtit, Vjosa Osmanit e Glauk Konjufcës me ambasadorët e QUINT-it në Kosovë.

Pas takimit, kryeministri Albin Kurti është deklaruar shkurtazi për media, duke treguar se po thërret një seancë të jashtëzakonshme për të shtunën, me 15 janar.

Më pas presidentja Vjosa Osmani përmes një deklaratë të përbashkët për media kështu duke përfaqësuar edhe opinionin e kryeministrin dhe kryeparlamentarin, ka theksuar se nuk e kanë ndërmend të zmbrapsen nga vendimi për mos-lejimin e referendumit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore