Lajme

Kuti të hedhura dhe vjedhje ngarkesash në Los Angeles


Në Los Angeles, pamjet e shinave të trenit të mbushura me kuti të hedhura kanë tërhequr vëmendjen mbi vjedhjen e pakove nga kontejnerët e mallrave që kanë kaluar aty në muajt e fundit.

Një ekip nga “Agence-France Presse” ka gjetur pako të kompanive kryesore të porosive dhe korrierëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shinat afër qendrës së Los Angeles-it.

Kurse gazetarët nga “CBSLA” kanë gjetur pako të shitësve me pakicë si Amazon-i, REI dhe të tjerë.

Kjo e fundit ka raportuar gjithashtu se Union Pacific, kompania hekurudhore që operon trenat e ngarkesave, kishte pastruar zonën e shinave ku u gjetën kutitë tre muaj më parë dhe përsëri rreth 30 ditë më parë.

Kompania, në një letër drejtuar prokurorit të qarkut ka thënë se kishte përjetuar një rritje mbi 160 për qind të vjedhjeve kriminale të hekurudhave që nga dhjetori 2020.

Dhe se mesatarisht, më shumë se 90 kontejnerë rrezikoheshin çdo ditë.

Ndërkaq, për muajin tetor 2021, rritja vlerësohet të jetë mbi 356 për qind krahasuar me një vit më parë.

Në letër, Union Pacific ka thënë se ka rritur numrin e agjentëve specialë në patrullë dhe se po eksploronte përdorimin e mjeteve si dronët, gardhet e specializuara dhe sistemet e zbulimit të shkeljeve.

Luis Rosas, i cili punon për një kompani të nënkontraktuar nga Union Pacific për të shpëtuar sendet, ka treguar se hajdutët përdorin prerëse bulonash për të thyer bravat në kontejnerë dhe për të ngarkuar furgona ose kamionë me ato mallra që vjedhin.

Agjencia e lajmeve, “The Guardian” tregon se në muajt e fundit Los Angeles-i ka qenë vendi i problemeve të mëdha të transportit detar, pasi kriza globale e zinxhirit të furnizimit goditi portet.

Portet, të cilat formojnë kompleksin më të ngarkuar të anijeve të Amerikës dhe shërbejnë si një portë kyçe për mallrat e importuara nga Azia, kanë luftuar me një ngarkesë të konsiderueshme.

Për muaj të tërë, mijëra punëtorë kanë punuar gjatë gjithë kohës për të transportuar mallra në kamionë dhe trena.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore