Lajme

Kushtetuta ka kundërthënie – s’na lejohet bashkimin me Shqipërinë, thotë Kurti


Kushtetua e Kosovës, sipas kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, paraqet pengesë për bashkim e Kosovës me Shqipërinë.

“Fatkeqësisht Kushtetuta e Kosovës e ka një kundërthënie në mes nenit 1.1 me nenin 1.3. Neni 1.1 thotë që Kosova është shtet i pavarur, sovran e demokratik e neni 1.3 na ndalon bashkimin me një shtet tjetër”, tha Kurti para gazetarëve në shënimin e 577-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës.

Edhe mungesa e ligjit për referendum për kreun e LVV-së është pengesë për t’u jetësuar ideja e bashkimit kombëtar.

“Në Kosovë, kur s’kemi ligj për referendum dhe s’e ndryshojmë dot Kushtetutën tregon që duhet të bëjmë më shumë punë e do të kalojë ca kohë deri të arrijmë në atë pikë, por ajo është intenca historike dhe dëshira e shqiptarëve”.

Sfidë tjetër për bashkim me Shqipërinë, sipas Kurtit është edhe integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Në këtë kuptim, pavarësia e Kosovës nuk e lejon në mënyrë kushtetuese bashkimin me një shtet tjetër të pavarur, siç është Shqipëria. Por njëkohësisht paraqet pengesë për integrim të llojit tjetër siç është ai evropian”.

Sipas tij, megjithatë një ide e tillë është dëshirë e të gjithë shqiptarëve dhe për ta arritur duhet të kalojë ende kohë.

“Politikëbërja te shqiptarët duhet t’i rikthehet Lezhës, ‘Besëlidhjes’ në mënyrë që edhe të dalim nga vështirësitë që kanë shqiptarët kudo dhe nga gjendja e rëndë e përgjithshme, por edhe të vendosemi në binarët e demokracisë e drejtësisë, zhvillimit e progresit, të cilat nuk e lënë asnjëri mbrapa”, ka potencuar Kurti.

Ai ka porositur që Kosova e Shqipëria duhet të bashkërendohen drejt integrimit e bashkimit në tri fusha kryesore: Të sigurisë së përbashkët, energjisë dhe burimeve natyrore dhe atë të politikës së jashtme.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore