Kosova

Kushtetuesja refuzon kërkesën e PDK-së për seancën e grushteve


Seanca e 13 korrikut

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, këtë të marte, ka refuzuar kërkesën e bërë nga Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, dhe dhjetë deputetëve të tjerë, lidhur me vlerësimin e kushtetuetshmërisë së caktimit të seancës së kuvendit më 13 korrik të këtij viti, në të cilën kishte pasur përleshje fizike në mes të deputetëve të opozitës dhe kabinetit qeveritar.

“Gjykata, njëzëri, ka vendosur që të deklarojë kërkesën e papranueshme për shqyrtim në merita sepse e njëjta nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në kërkesën e Tahirit, përkatësisht të PDK-së, më 20 korrik, kishin kërkuar që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së thirrjes së seancës së 13 korrikut.

Tahiri kishte thënë se kjo seancë ishte ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, prandaj nga PDK-ja ishte kërkuar që të gjitha vendimet të anulohen.

“Seanca e fundit plenare e Kuvendit, ishte caktuar dhe ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, prandaj si e tillë, duhet të anulohet dhe bashkë më të, edhe të gjitha vendimet që janë marrë në këtë seancë jokushtetuese”, kishte shkruar ai në Facebook.

Mirëpo, këtë kërkesë të PDK-së, në një vendim të publikuar pasditen e së martës Gjykata Kushtetuese ka vendosur që ta refuzojë.

“Në rrethanat e rastit konkret, çështje kontestuese ishte nëse akti i kontestuar i Kuvendit është akt i cili i është nënshtruar ‘miratimit’ nga Kuvendi, siç kërkohet specifikisht në paragrafin 5 të nenit 113 çJuridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës”, thuhet aty.

“Në këtë kontekst, Aktvendimi sqaron që para Gjykatës është kontestuar “Vendimi Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” dhe që i njëjti nuk i është nënshtruar votimit nga deputetët e Kuvendit dhe për pasojë nuk mund të cilësohet si “vendim i miratuar nga Kuvendi” për qëllime të paragrafit 5 të nenit 113 (Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara) të Kushtetutës dhe rrjedhimisht nuk mund të i nënshtrohet vlerësimit meritor të Gjykatës”.

“Aktvendimi më tej nënvizon që, një qëndrim i tillë i Gjykatës është konsistent që nga viti 2013, përkatësisht Aktvendimi për Papranueshmëri në rastin KO115/13, me parashtrues Ardian Gjini dhe njëmbëdhjetë (11) deputetë të tjerë të Kuvendit, ndërsa gjithashtu sqaron që bazuar në praktikën e konsoliduar gjyqësore të Gjykatës, përderisa emërtimi formal i akteve, përfshirë ato të miratuara nga Kuvendi, nuk është përcaktues për vlerësimin e pranueshmërisë së një kërkese, Gjykata, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 (Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara) të Kushtetutës, ka vlerësuar vetëm kushtetutshmërinë e akteve të Kuvendit të cilat i janë nënshtruar “miratimit” nga Kuvendi, ndërsa në rrethanat e rastit konkret ky nuk është rasti”.

Nga kjo gjykatë kanë sqaruar se vendimmarrja nuk ndërlidhet me dy nga vendimet e kuvendit të miratuara në atë seancë, të cilat janë kontestuar ndaras nga një numër i deputetëve, sic është ai për vlerësimin e kushtetutshmërisë për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Pagën Minimale.

“Aktvendimi i Gjykatës në fund sqaron që, kjo vendimmarrje nuk ndërlidhet dhe/ose nuk afekton dy vendime të Kuvendit të miratuara në seancën plenare të 13 korrikut 2023, të cilat janë kontestuar ndaras në Gjykatë nga deputetë të Kuvendit, sipas autorizimeve të përcaktuara në paragrafin 5 të nenit 113 (Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara) të Kushtetutës, përkatësisht (i) kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit (nr. 08 -V-583) për shkarkimin e znj. Kimete Gashi nga pozita e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, të regjistruar në Gjykatë si kërkesa KO 157/23; dhe (ii) kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-142 për “ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore”, të regjistruar në Gjykatë si kërkesa KO 158/23”, thuhet ndër të tjera.

Çka kishte ndodhur në këtë seancë? 

Në seancën e 13 korrikut, situata në Parlament kishte eskaluar fillimisht pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, vendosi një letër ku Albin Kurti dukej me hundë të zgjatur – që karakterizon personazhin e “Pinokiut” – që përdoret si simbolikë e gënjeshtarit, në një kohë kur ai po fliste për situatën në Veri të Kosovës.

Më këtë veprim të deputetes Musliu, nuk u pajtua zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili u ngrit nga ulësja e tij ku po qëndronte, dhe doli për ta larguar atë letër vetëm pas disa sekondave.

Ky akt i Bislimi provokoi situatën edhe më tej; pasi Mërgim Lushtaku, nga PDK, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Bislimit hodhi ujë në drejtim të Kurtit fillimisht – i cili po fliste në foltoren e kuvendit – dhe më pastaj vartësit të tij Bislimit, derisa ky i fundit iu kundërpërgjigj duke e goditur me shishe të ujit deputetin Lushtaku.

Situata agravoi në përleshje fizike pasi deputetët e PDK-së u përplasën me disa nga ministrat e qeverisë Kurti dhe deputetët e mazhorancës.

Nuk munguan as grushtet e shtyrjet.

Pas tensionimit të situatës në sallën e Parlamentit të Kosovës intervenoi edhe mbrojtja e afërt e kryeministrit me qëllim; ndalimin e përleshjeve të mëtejme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore