Shqipëria

Kushi uron studentët: Fillimi i vitit akademik përkon me fundin e pandemisë


Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, pasditen e 17 tetorit, ka uruar për “fillimin e një viti të mbarë e të suksesshëm akademik”, të gjithë studentët e vendit.

“Ky fillim viti është një moment i rëndësishëm për të gjithë ne”, shkruan Kushi në median sociale Facebook, “sepse përkon me fundin e emergjencës së një pandemie që na detyroi të heqim dorë dhe të sakrifikojmë gjëra prioritare të jetës sonë”.

Gjatë urimit, ministrja e vuri theksin dhe te masat anti-COVID, që çdo universitet duhet ti ndërmarrë për parandalimin e përhapjes së virusit.

“Jam e kënaqur që universitet tashmë i kanë marrë të gjitha masat e duhura dhe ju nesër do të gjeni një mjedis edhe më të ngrohtë e mikpritës nga ai që latë përpara fillimit të pandemisë”, shprehet Kushi drejtuar studentëve.

Në përmbyllje, ministrja ka vijuar duke ju bërë thirrje studentëve për t’u vaksinuar.

“Më lejoni edhe një herë që të ftoj të vaksinohet secili prej jush që nuk ka pasur mundësi deri më tani”, tha ajo.

“Ky vit do të jetë një sfidë e re”, ka vijuar ajo, “edhe për shkak të objektivave madhorë që kemi vendosur së bashku me universitetet tona për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë”.

Ministrja Kushi në fund të shtatorit ka mirëpritur në Shqipëri, delegacionin nga Universiteti i Tuscia.

Ajo ka deklaruar se diskutimi u fokusua te hapat konkrete për programe të përbashkëta studimi, projekte të kërkimit shkencor, si dhe shkëmbime të ndryshme mes pedagogëve dhe studentëve.

Bashkëpunimi i universiteteve shqiptare me ato të huaj, është një nga nismat e reja të qeverisë “Rama 3”, pas marrjes së mandatit të tretë.

Ministrja Kushi, në seancën plenare të 16 shtatorit, ka njoftuar se, për shkak se shumë studentë largohen jashtë vendit pas gjimnazit, “ne kemi vendosur që një nga mekanizmat tona do të jetë bashkëpunimi i ngushtë me universitetet më prestigjoze në botë”.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fillim të muajit shtator, deklaroi nga Italia se, me këtë nismë do të ketë më shumë prezencë të universiteteve publike italiane në Shqipëri, duke u dhënë mundësi studentëve që të mos largohen nga vendi i tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore