Shqipëria

Kushi: Nga 22 shkurti mësimi do zhvillohet sipas tre skenarëve


Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Evis Kushi, ka njoftuar në median sociale Facebook, në lidhje me skenarin e zhvillimit të mësimit duke filluar nga e hëna e 22 shkurtit.

Sipas saj, mësimi në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar, publik dhe jopublik do të zhvillohet në këto mënyra. Nxënësit e ciklit fillor (klasa1-5) në shkollë, maturantët në shkollë dhe nxënësit e klasave (6-11) sipas skenarit të kombinuar.

“Shkollat e mesme që ndodhen në zonat me risk të lartë (Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnjë, Pogradec dhe Kamëz) do të vazhdojnë ‘online’ deri më datë 26 shkurt 2021, sipas sugjerimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve”.

Në vijim, Kushi është shprehur se ka pasur shumë mesazhe me shqetësime të ndryshme, disa që kërkojnë kthimin në shkollë e disa të tjerë që i tremben situatës së pandemisë.

“Dua t’ju siguroj edhe një herë të gjithëve që vendimet tona bazohen në prioritetin absolut për shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve tanë”.

Në fund, ministrja ka bërë apel që të tregohemi të kujdesshëm në respektimin e të gjitha rregullave të përcaktuara ndaj Covid-19, brenda dhe jashtë shkollës.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore