Shqipëria

Debati Kushi-Xhixho: Fëmijët, primarë për ne – së shpejti projektligji për rekrutimin e mësuesve


Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, të enjten e 16 dhjetorit deklaroi se po merret një nismë ligjore për sa i përket rekrutimit të mësuesve në shkolla, pasi mbrojtja dhe mirëqenie e fëmijëve është “primare për ne”.

Reagimi i Kushit erdhi pas një seancë pyetje-përgjigje me deputeten e Lëvisjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho, në lidhje me punësimin e mësuesit Ëngjull Bregu, i cili ishte dënuar në vitin 2003 për veprën penale “ngacmim seksual ndaj të miturve”.

Xhixho e pyeti Ministren se, “cilat janë mekanizmat që janë ngritur për të mbrojtur nxënësit nga ‘grabitqarët seksuale’ dhe çfarë praktikash ndiqen kur raportohet një ngacmim seksual etj”.

Deputetja a LSI-së, Erisa Xhixho

Unë vetë kam dënuar ashpër publikisht emërimin me kontratë të këtij mësuesi. Persona të tillë nuk duhet të hyjnë në mjediset e shkollës”, theksoi Kushi në fjalën e saj.

Më tej Ministrja bëri me dije se katër ditë pas lidhjes së kontratës së përkohshme, “pasi u njoftuam me denoncimin e bërë, në nisëm hetim administrativ për të gjetur personat përgjegjës që lejuan punësimin e tij”.

Nga kjo e fundit, Kushi shtoi se Ëngjull Bregu kishte nisur punë si mësues matematike në vitin 1980 deri në vitin 2003 kur ai u dënua me shtatë muaj heqje lirie për vepra penale të turpshme.

Por, pavarësisht kësaj të fundit, kushi tha se, “atij nuk i ishte hequr e drejta e ushtrimit të profesionit”.

“Prandaj, Drejtoria Arsimore Rajonale në Berat, duke mos disponuar një vendim të Gjykatës të heqjes së funksionin e ka kthyer mësuesin në punë pas kryerjes së dënimit 2004-2009. Pas një pauze 10-vjeçare ai u rikthye duke aplikuar në portalin ‘Mësues për Shqipërinë’”.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi

Sipas Kushit, mësuesi “nuk është rikthyer sot në punë por ka qenë vazhdimisht pjesë e sistemit tonë arsimor përveç periudhës që është larguar vetë”.

Pikërisht për këtë arsye Kushi iu drejtua Xhixhos dhe gjithë prindërve se ajo ka ndërmarrë një mekanizëm ligjor së bashku me Ministrin e Drejtësisë.

Kjo ka të bëjë me ndalimin e aplikimit edhe të personave të dënuar për të cilët gjykata ka marrë vendim të formës së prerë, – që përfshin dhe këto raste – si dhe një iniciativë ligjore që disa veprave penale të mos fshihen asnjëherë nga dëshmia e penalitetit.

“Mbrojtja e nxënësve është e shenjtë dhe këtë e tregon nisja e një iniciative ligjore për këtë aspekt”, e mbylli Kushi fjalën e saj.

Nga ana tjetër Xhixho iu drejtua Ministres se sistemi i rekrutimit është korruptiv dhe duhen ndërtuar mekanizma për të parandaluar raste të tilla.

“Nëse ne do të gjykonin si prindër të gjithë bashkë do ta tundim qeverinë për të shkallmuar një sistem korruptiv që rekruton mostra të tilla”, e mbylli fjalën e saj Xhixho.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore