Shqipëria

Kush po e ‘keqkupton’ Amerikën, gazetarët apo Kurti?


“Unë nuk e di kush po jua lexon (raportet e Kosovës me Amerikën) sepse s’besoj që po i lexoni vetë e po mendoni kështu”.

Nën këtë ‘moto’, kryeministri kosovar, Albin Kurti, “ia mblodhi” gazetarëve dhe pyetjeve që këta të fundit po i shtronin në konferencë për shtyp, nën pretendimin se mediat, nuk po e kuptojnë atë çfarë SHBA-të realisht po thonë mbi çështjen e targave apo marrëveshjen me Serbinë, nën pagëzimin e propozimit franko-gjerman, të publikuar nga Albania Post më 18 shtator.

As raportet mes dy vendeve nuk janë si përshkruhen. As befasim të palës amerikane nga qëndrimi i Kosovës nuk ka pasur, po sipas Kurtit, në fjalën e tij në konferencë.

Në fakt, e njëjta gjë artikulohej në kohën kur Albanian Post publikoi propozimin franko-gjerman.

Fillimisht pati një heshtje, më pas kundërshti e më tutje mandej edhe pranim të këtij plani, i cili siç ka mësuar redaksia e Albanian Post, pretendon që paraprakisht ta ketë një firmosje marrëveshje brenda shkurtit 2023.

Më shumë se një muaj pas publikimit të planit nga AP-ja dhe pranimit të gjerë publikisht të tij, Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, kornizën e re, e quajti “të pazbuluar” nga Qeveria, për arsye se ajo “do të vriste shpirtin e gjërave pozitive që duhet të sjellë vetë dokumenti”.

Bislimi: Propozimin franko-gjerman s’e zbuluam, do ta “vriste shpirtin” e gjërave pozitive që duhet t’i sjellë dokumenti

Ndërsa, brenda të njëjtës deklaratë, ajo çfarë dokumenti vetë përcjell sipas Bislimit, në këtë fazë, nuk është se i leverdis Kosovës, aq sa i leverdis Serbisë.

“Për ne është me rëndësi të ketë dokument final me njohjen reciproke në qendër. Për Serbinë është që të mos ketë dokument final e të mos ketë njohje reciproke”, kështu do të deklaronte Bislimi, duke vërtetuar dokumentin që një herë “nuk ishte” e më pas ishte.

Po sot, leximi i gazetarëve për situatën dhe kritikat nga aleatët amerikanë dhe evropianë, po kështu si ky lexim janë?

Të tillë fundja e sheh edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, situatën, pasi me një postim në Twitter, i ka bërë thirrje Kosovës të shtrohet në dialog dhe të mos i humbasë partnerët perëndimorë.

Për të mos u lënë pas as qëndrimi i ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, i cili tha më 27 tetor se SHBA-të janë jo vetëm të zhgënjyera, por edhe të zhgënjyera për vendimin e marrë nga Qeveria e Kosovës, për të mos zgjatur afatin për ri-regjistrimin e automjeteve dhe kalimin nga targat ilegale KM në ato RKS, pavarësisht thirrjeve nga SHBA, BE dhe QUINT-i.

Amerikanët “të shqetësuar dhe të zhgënjyer” me Kurtin

Mos ndoshta edhe kreu i Qeverisë shqiptare, apo fundja vetë diplomatët amerikanë, nuk e dinë se raportet e Kosovës me SHBA-të nuk janë si “të gjyshit me nipin”, siç thotë Kurti?

Apo kryeministri kosovar ka harruar të lexojë gjuhën e partnerëve, përndryshe nga gazetarët?!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore