Lajme

Kush po e fuqizon ‘Anti vax’?


Leilani Lutali është një besimtare e devotshme në SHBA dhe si e tillë, ajo ka refuzuar në bazë të kremtimit të spiritualitetit të saj, të marrë një dozë të vaksinave anti-COVID.

Asnjë e keqe deri këtu, deri në çastin kur një spital një Colorado, refuzon ta nënshtrojë atë në një ndërhyrje, për të kryer një transplant veshkash, pa qenë e imunizuar nga coronavirusi.

Kjo situatë ka ngjallur debate shumë të zëshme në SHBA. Debate, të cilat faktikisht edhe pse kanë ndodhur së fundmi atje, reflektojnë pasqyrën e një bote të tërë në një ngjarje të tillë.

Kahet janë dy: “Pro vax” dhe “Anti vax”.

Për të parë se sa i madh është dyzimi midis këtyre dy grupimeve, as nuk duhet bërë shumë. Mjafton të shkohet në kronikën që media amerikane CBS News ka shpërndarë në YouTube më 18 tetor, për të parë reagimet.

Rreth 5 mijë persona kane shprehur aprovim në atë video. Thuajse 10 mijë të tjerë, gishtin e kanë drejtuar për poshtë.

Këtij rasti madje, i bashkëngjitet edhe një nga fusha e blertë e futbollit amerikan. Nick Rolovich, trajneri i ekipit të futbollit amerikan në Washington State University, u shkarkua nga detyra e tij më 18 tetor.

Nick Rolovich, trajneri i ekipit të futbollit amerikan në Washington State University

Arsyeja? Kundërshtimi për të marrë dozën e vaksinës kundër COVID-19!

Çështja është se Rolovich, ishte edhe një figurë shumë e dashur në Washington. Madje, rroga e tij si trajner, shkonte në 3.1 milionë dollarë në vit, duke e bërë personin me rrogën më të lartë në Washington.

Por COVID-19 dhe refuzimi për vaksinën, e çuan atë drejt shkarkimit. Ndërsa debatin për sa i përket çështjes, në majat që prej fillimit të pandemisë.

Ku dallojnë rastet?

Të dy rastet kanë një të përbashkët madhore: Vaksinat.

Por, të dyja janë shumë të ndryshme.

Në rastin e parë, në rrezik është jeta e një personi. Për këtë arsye, Arthur Caplan, profesor i bioetikës, mendon se vendimi për të mos e lejuar gruan të kryejë transplant pa marrë dozën kundër COVID, është etikisht e drejtë.

Arthur Caplan, profesor i bioetikës

Në rastet e transplanteve, është me rëndësi të kuptohet se jeta pas bëhet e vështirë. Personi duhet të marrë medikamente të shumta dhe sistemi imunitar dobësohet. Për këtë arsye, është e domosdoshme që vaksina të jetë e marrë nga personi, në mënyrë që të mos kalojë në infektim.

Studime nga vetë Universiteti i Colorados, tregojnë se në rast transplanti dhe më pas infektimi me COVID-19, pacientët kanë mbi 20% shanse të shtuara për të humbur betejën. Një shifër shumë e lartë.

Në aspektin “cinik” të mjekësisë, vlen për t’u theksuar sipas Caplan, se edhe numri i organeve, nuk është shumë i lartë. Ndaj personat përftues, duhet të përzgjidhen dhe përparësia, i jepet atyre, të cilëve përmbushin më së shumti kushte të kërkesave shëndetësore.

Ndaj, mbi rastin e parë, pak mund të thuhet, për sa kohë janë ekspertët të cilët flasin.

Ndërsa, rasti i vërtetë i cili ngjall debat, është ai i dytë, ku çështja kthehet në morale.

Rolovich-i, nuk ka një detyrim ligjor për të kryer vaksinën. Ai të drejtën e gëzon, por jo detyrimin. Për më tepër, fushat në futbollin amerikan janë të hapura dhe minimalisht, ai mund të paraqesë një test negativ përpara stërvitjeve dhe ndeshjeve.

Vetëm ky fakt, nuk duhet të paraqesë problematika për vijimin e punës së tij.

Vendimi për shkarkimin e tij, sipas argumentimit të Universitetit, ka ardhur për shkak të shembullit të keq që po jep ai, mbi moskryerjen e vaksinës.

Jo e vetmja

Në SHBA, janë 13, vaksinat e detyrueshme për fëmijët – deri në moshën tre-vjeçare!

Mbi to nuk ngrihet një kauzë e madhe kundërvënieje sepse fakti është që sëmundjet të cilat ato parandalojnë, janë ulur minimalisht me 98% që prej përfshirjes së tyre në sistemin shëndetësor.

Skema e vaksinimit deri në moshën 18 vjeç në SHBA

E njëjta gjë vlen edhe për vende të tjera, ku vaksinimi për parandalimin e sëmundjeve ndodh.

Në Britani, deri në moshën 15-vjeçare, një person merr 11 vaksina. Disa prej tyre, luftojnë gjashtë sëmundje njëherësh dhe cilësohen si doza 6 në 1. Tre të tjera merren gjatë jetës adulte. Njerëzit në risk marrin edhe tre shtesë. Sërish mbi to nuk ka debate të mëdha, pasi është detyrim ligjor.

Në Francë po ashtu, tetë vaksina janë të detyrueshme deri në moshën 13 vjeç.

Pra, kemi të bëjmë me një skemë të ngjashme të mbrojtjes së shëndetit të popullatës.

Në rastin e vaksinës kundër COVID-19, kemi të bëjmë sërish me një skemë mbrojtjeje të popullatës, por vaksinimi në këtë rast, nuk është i detyrueshëm. Gjithsesi, një detyrim paraqitjeje të certifikatës së vaksinimi, kërkohet në shumë vende të botës në vendet e punës.

Atëherë pse për dhjetëra vaksina me detyrim nuk ka një debat publik ndërsa për atë kundër COVID-19 jo?

E drejtë detyruese

Kanstantsin Dzehtsiarou, profesor në Universitetin e Liverpool-it, shpjegon qartësisht se ka një lidhje midis të drejtave të njeriut dhe vaksinimit të detyrueshëm.

“Është një çështje e lidhur 100% me të drejtat njerëzore dhe të autonomisë së trupit. Këto të drejta e mbrojnë trupin tonë dhe na japin pushtetin të vendosim ç’bëhet me të”.

Kanstantsin Dzehtsiarou, profesor në Universitetin e Liverpool-it

Gjithsesi, kjo nuk është dhe nuk mbetet absolute!

Qeveritë, shtetet, strukturat, në rast nevoje, mund të ndërhyjnë në këtë të drejtë, për një të mirë të vlefshme publike.

Pikërisht për faktin se COVID-19 është vdekjeprurës, edhe vaksinimi është i domosdoshëm. Jo për veten, sa për shëndetin e të gjithëve.

Kështu e mendojnë edhe David Cole dhe Daniel Mach, dy themelues të Unionit Civil Amerikan mbi Liritë.

Ata shtyjnë më tej, duke thënë se detyrimi i vaksinimit, është pikërisht në përputhje të të drejtave të njeriut. Ato mbrojnë pikërisht ata që janë më të dobët dhe më vulnerabël rreth nesh.

Antagonistin e bën në këtë rast vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë, nga e cila thuhet se vaksinimi, nuk duhet të kthehet në detyrim.

Shtetet po e ndjekin këtë rekomandim dhe nuk e kthejnë në ligj. Por, vendimi, po zbatohet duke e bërë të domosdoshme paraqitjen e certifikatës së gjelbër në vende pune, institucione etj..

Ose, siç e quajnë neozelandezët, “No jab. No job” (Jo vaksinë. Jo punë).

Boomerang

Efekti i ardhur nga kjo seri vendimesh, ishte tërësisht i kundërt nga ai sa pritej. Fakti është se Rolovich, nuk është i vetmi i prekur nga një reformë e kërkesës së certifikatës së vaksinimit në mënyrë të detyrueshme, në administrata publike.

Ai është thjesht një rast më i njohur dhe më flagrant se të tjerët, për shkak të detyrës.

Kjo bëri që në rrugë, të vërshojnë protesta kundër vaksinimit të detyrueshëm.

Protestë “Anti vax” në SHBA

Këto protesta, iniciatore kishin të njëjtat instanca, pra lëvizjet e ndryshme “Anti vax”.

Këtë herë, përkundrejt herëve të tjera, ata patën në krah edhe qytetarë të thjeshtë. Qytetarë, të cilët më parë kanë mbështetur Qeverinë për procesin e vaksinimit, por që tashmë janë kthyer kundër.

Për këtë arsye, një teori e re po qarkullon gjerësisht, ku lëvizja “Pro vax”, është në të vërtetë ajo që po e fuqizon më shumë lëvizjen “Anti vax”.

Arsyeja kryesore se pse kjo po ndodh sipas disave, është për shkak të premtimit të kahershëm botëror, se vaksinimi nuk do të kthehet në të detyrim për njerëzit.

Por, siç po shihet edhe më shumë javët e fundit, shumë sektorë kanë filluar të mos operojnë për personat e paimunizuar.

Nëse shihet gjithsesi më imtësisht, arrihet të kuptohet se në të vërtetë, problemi themelor i “Anti vax”, nuk është vetëm vaksina, por përqendrimi i probleme sociale në një “kauzë” të prekshme të kohëve të fundit.

Rastet në SHBA janë më të zëshme. Ato gjithsesi, pasqyrojnë praktikisht çfarë po ndodh në gjithë botën

Përplasje ka pasur edhe në Shqipëri, me rastin e fundit të studentëve në auditore.

Studentë të pavaksinuar presin jashtë Universitetit

Se sa do të vijojë kjo betejë, mbetet ende për t’u parë. Por, në mënyrën se si ka filluar, duket se do të zgjasë.

Thuajse të gjithë ekspertët janë dakord se po, vaksina është domosdoshmëri.

Ajo që nuk po pëlqehet nga ana tjetër, është qasja detyruese për ta kryer atë.

“Anti vax”-i po vijon të rritet ndërkohë, me protesta të shtuara në disa të vende të botës.

Por çështja e vërtetë për t’u shtuar, mbetet një: Kush po e rrit “Anti vax”-in?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore