Lajme

Kush ishte Khashoggi, vrasja e të cilit “tronditi” marrëdhëniet SHBA-Arabi Saudite


Një raport i inteligjencës amerikane (CIA) pritet të fajësojë Princin e Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, për aprovimin dhe ndoshta urdhërimin e vrasjes së Jamal Khashoggi, 59 vjeç, në 2018-ën. Ky i fundit ishte kolumnist kontribuues i Washington Post dhe ka qenë pjesë e personelit mbretëror saudit.

Khashoggi u pa për herë të fundit në tetor 2018, duke hyrë në Konsullatën Saudite në Stamboll. Vrasja e tij, për të cilën zyrtarët turq morën një regjistrim audio, pengoi marrëdhënien SHBA- Arabi Saudite.

Dy javë pas zhdukjes së Khashoggi, Arabia Saudite pranoi se ai ishte vrarë nga agjentët e mbretërisë, por ajo vazhdon të mohojë që princi i kurorës ishte i përfshirë.

Raporti i fundit i SHBA-së, që bazohet në një vlerësim të CIA-s, të lëshuar një muaj pas vrasjes së Khashoggit, zbuloi se Mohammed me shumë gjasa urdhëroi vrasjen.

Kush ishte Jamal Khashoggi?

Khashoggi qe një gazetar dhe analist politik i njohur saudit. Ai vinte nga një familje me emër dhe në fillim mbante lidhje të ngushta me familjen mbretërore saudite. Me kalimin e kohës, u bë më kritik ndaj politikave të qeverisë. Veçanërisht kritikat lidheshin me princin Mohammed bin Salman, udhëheqësin de facto të mbretërisë. Më vonë, ai la Arabinë Saudite dhe u zhvendos në SHBA.

Si u vra ai?

Shkrimet e Khashoggi-t patën kosto për të. Ai u divorcua dhe u nda nga familja, e cila jetonte në Arabinë Saudite. Gazetari përfundimisht vendosi të martohej përsëri dhe të vendosej me të fejuarën e tij turke në Stamboll. Për të shpallur martesën, iu deshën disa vërtetime nga Konsullata Saudite në Turqi. Kështu, në fund të shtatorit 2018, shkoi në konsullatë dhe u udhëzua të kthehej disa ditë më vonë për të marrë dokumentet.

Kjo nisi një zinxhir veprimesh nga autoritetet saudite, të cilat kulmuan me vrasjen e Khashoggi-t. Sipas hetuesve të SHBA-së, Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara, me siguri u drejtuan nga princi i kurorës.

Pak para zhdukjes së Khashoggi, 15 agjentë sauditë, përfshirë dhe një mjek ligjor, fluturuan në Stamboll me avionë qeveritarë. Anëtarët e ekipit hoqën kamerat e sigurisë të afishuara jashtë konsullatës përpara se ai të mbërrinte. Sapo hyri brenda, thanë hetuesit, agjentët vranë gazetarin dhe i copëtuan trupin. Mbetet e paqartë saktësisht se çfarë ndodhi me eshtrat e tij.

Një burrë i veshur me rrobat e Khashoggi-t, u largua nga konsullata dhe eci rreth Stambollit, në përpjekje për të mashtruar hetuesit dhe për të mbështetur një pretendim fillestar se ai ishte larguar nga ndërtesa i gjallë. E fejuara e Khashoggi, megjithatë, po e priste atë jashtë konsullatës gjatë gjithë kohës. Kur i fejuari i saj nuk u kthye, ajo u alarmua dhe kontaktoi me disa persona, siç ai e kishte udhëzuar paraprakisht.

Çfarë kanë thënë zyrtarët sauditë?

Fillimisht, zyrtarët sauditë mohuan çdo përfshirje me pretendimin se Khashoggi ishte larguar nga konsullata të njëjtën ditë. Por, pas një presioni të madh ndërkombëtar, zyrtarët sauditë thanë dy javë pas zhdukjes së tij se Khashoggi vdiq në atë që ata e quajtën “një luftë për një përpjekje për ta sjellë përsëri në Arabinë Saudite”.

Në shtator të vitit 2020, Arabia Saudite njoftoi se tetë persona ishin dënuar me burgim nga shtatë deri në 20 vjet për vrasjen e Khashoggi. Sidoqoftë, gjyqi ishte i mbyllur për publikun dhe emrat e të pandehurve nuk u zbuluan kurrë.

Si ka ndikuar vdekja e tij në marrëdhënien SHBA-Saudite?

Ligjvënësit amerikanë në të gjithë spektrin politik u indinjuan nga vrasja e Khashoggi-t. Por, administrata e Trump-it kishte ndërtuar lidhje të ngushta dhe fitimprurëse me Arabinë Saudite dhe ajo shtyu thirrjet për të sanksionuar dhe mënjanuar mbretërinë. Këshilltari dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, thuhej se do të komunikonte drejtpërdrejt me princin e kurorës.

Presidenti Joe Biden, megjithatë, është zotuar të “rikalibrojë” marrëdhënien SHBA-Saudite. Biden tha të mërkurën se ai e ka lexuar raportin dhe do të komunikojë me homologun e tij zyrtar, mbretin saudit, Salman bin Abdul Aziz.

Arabia Saudite është konsumatori më i madh në botë për armët amerikane dhe shihet si një aleat i rëndësishëm i SHBA-ve në parandalimin e ambicieve politike të Iranit në rajon. Por, lufta e saj e vazhdueshme në Jemen, e cila aktualisht përballet me krizën më të keqe humanitare në botë, gjithashtu ka grumbulluar kritika në Uashington. Publikimi i raportit nga administrata Biden pritet t’i acarojë më tej marrëdhëniet.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore