Kultura

Kush fshihet pas monumenteve të para të SHBA-ve?


Afrikano-amerikani më i famshëm në Amerikën koloniale është harruar gjerësisht, por kontributet e tij afatgjata janë fshehur në Washington DC.

Familja Banneker, e cila numëron mbi pesë mijë pasardhës të njohur sot, mësoi për këtë lidhje mahnitëse me paraardhësin e tyre novator – por pak të njohur – përmes një analize ADN-je.

Si i tillë, asnjë histori personale për të, asnjë artefakt, nuk u transmetuan ndër breza.

“Ai ka lindur një vit pas George Washington”, tha Marable, i cili vazhdoi të ndihmojë dhe shërbejë si president i Parkut dhe Muzeut Historik Benjamin Banneker në Baltimore County, Maryland.

“Njerëzit nuk shkruanin për njerëzit me ngjyrë në atë kohë”, shtoi ai.

Ajo që ne dimë është se ky mbjellës i duhanit, afrikano-amerikan, ishte ndër të tjera matematikan, shkencëtar dhe astronom.

Gjithashtu ndihmoi në vendosjen e kufijve të Washington DC.

Kjo pasi pothuajse të 40 gurët kufitarë, shënojnë formën origjinale të diamantit 10 milje me 10 milje të kryeqytetit të SHBA-ve.

Ato janë grupi më i vjetër i monumenteve federale në SHBA.

Në vitin 1790, presidenti i ri George Washington, u autorizua të përcaktojë vendin e kryeqytetit të ri përgjatë lumit Potomac.

Ai kishte nevojë për një ekip studimi për të vendosur kufijtë e tij.

Andrew Ellicott, topografi më i shquar në atë kohë, kishte bërë emër duke hartuar 11 shtete (dhe duke bërë studimin e parë topografik të lumit Niagara dhe Niagara Falls).

Por ai kishte nevojë për një ndihmës që mund të lexonte yjet, për ta bërë vendosjen e shënuesve sa më të saktë.

Kushëriri i tij rekomandoi një mik fqinj. Ai quhej Benjamin Banneker, por sipas historianit Silvio Bedini, Ellicott kishte dyshime mbi aftësitë e tij.

“Andrew Ellicott vuri në pikëpyetje kompetencën e mundshme të një njeriu me ngjyrë pa shkollë apo trajnim shkencor”, shpjegoi Bedini në një artikull të vitit 1991 për revistën e DC History Center.

Por pa asnjë mundësi tjetër,  të dy filluan të punojnë.

Banneker-i regjistroi kohën e saktë të kalimit të yjeve.

Me këto llogaritje, shënuesi i parë prej guri u instalua në Jones Point (në lumin Potomac në jug të qytetit të vjetër modern të Aleksandrisë, Virginia) më 15 prill 1791.

Ai si të gjithë shënuesit u bë nga i njëjti gur ranor nga Aquia Creek i Virginia-s që u përdor për të ndërtuar Shtëpinë e Bardhë, Capitol-in e SHBA-ve dhe ndërtesën e Gjykatës së Lartë.

Shënuesit e tjerë u vendosën një milje larg njëri-tjetrit.

Secili numërohet sipas kuadratit dhe vendndodhjes së tij, duke filluar nga guri i themelit jugor në Jones Point.

Secila nga katër anët e çdo shënuesi mban mbishkrimin ose “Virginia” ose “Maryland”, në varësi të shtetit kufitar.

36 gurë origjinalë kanë mbetur në vend, ndërsa tre janë kopje dhe një është në formë pllake.

Shumica e qytetarëve nuk e kanë idenë se çfarë janë këta gurë, edhe pse kalojnë pranë tyre çdo ditë.

Disa të tjerë bëjnë pelegrinazh për t’i vizituar, duke ofruar një eksplorim magjepsës të lagjeve të ndryshme.

Shumë janë në pronat e njerëzve dhe disa janë në parqe.

Toka e konfiskuar nga qeveria federale në 1790-en u kthye në Virginia në vitin 1846, kështu që gurët nuk pasqyrojnë kufirin modern dhe të reduktuar të Washington DC.

Nuk dihet nëse Banneker-i mori pjesë në ngjarjen e Jones Point në vitin 1791 duke festuar gurin e themelit në jug, pasi emri i tij nuk shënohet në listën e të ftuarve.

Shanset janë, që ai të ketë qenë një spektator.

Pavarësisht kësaj, disa muaj më vonë, ai i shkroi një letër Sekretarit të Shtetit Thomas Jefferson për punën e tij në gurët e kufirit.

“Jefferson kishte thënë publikisht se ai nuk besonte se njerëzit me ngjyrë dhe të skllavëruar ishin të të njëjtave standarde si të tjerët sa i përket trurit dhe aftësive fizike”, tha historiania Jane Levey, redaktore e përkohshme e revistës Washington History.

Ajo ka treguar se Banneker-i në thelb i qëndron idesë se ai duhet të ndryshojë opinionin publik për aftësitë e njerëzve me ngjyrë.

“Ai i shkruan Jefferson-it duke pranuar hapur se i përket racës afrikane”, tha Audrey Davis, drejtoreshë e Muzeut të Historisë së Zezë të Aleksandrisë.

Sipas saj, ai kishte një krenari për racën dhe për ngjyrën e tij.

“Ai ishte një gjeni në matematikë. Gjithashtu botoi gjashtë almanakë fermerësh, duke përdorur metoda shkencore”, shton ajo.

Banneker-i ishte i vetmi njeri me ngjyrë që sfidoi dyshimin e presidentit të ardhshëm për pabarazi gjatë jetës së tij.

Kontributet e tij shkencore në SHBA janë të jashtëzakonshme dhe i rezistojnë kohës.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore