Sport

Kush është Jesus Gil Manzano që do të arbitrojë El Clasico-n?


Jesus Gil Manzano do të jetë arbitri kyresor në mbrëmjen e së shtunës, në El Clasico-n midis Real Madird-it dhe Barcelona-s. Ai do të zëvendësojë Antonio Mateu Lahoz-in që u dëmtua.

Gil Manzano do e drejtojë për herë të dytë në karrierë një El Clasico. 37-vjeçari u konfirmua të premten nga Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF), për të qenë kryesori i ndeshjes në “Alfredo di Stefano”.

Arbitri ka që nga 2012 që është pjesë e La Ligës, ndërsa në 2014 mori dhe stemën e FIFA. El Clasico e parë dhe e vetme që u drejtua nga ai, ishte ajo e tetorit 2014, ku Real Madrid-i i Carlo Ancelotti-t fitonte 3-1 përballë Barcelona-s së Luis Enrique-s.

Në total, Gil Manzano ka gjykuar 31 ndeshje te Real Madrid-it, nga të cilat Los Blancos kanë fituar 25 dhe kanë humbur tre. Ndërsa, Barcelona-n e ka arbitruar në 20 ndeshje, ku katalanasit regjistrojnë 11 fitore, pesë barazime dhe katër humbje.

Gil Manzano mbahet mend si arbitri që ndëshkoi me karton të kuq, Lionel Messi-n, në finalen e Superkupës së Spanjës, ku Barça humbi me rezultatin 3-2 përballë Athletic Bilbao-s. Ai ishte kartoni i parë i kuq për Messi-n me Barcelona-n.

Kjo nuk është historia e vetme e arbitrit me Messi-n. Në shtator të 2018, Messi refuzoi t’i jap dorën, në përfundim të takimit me Girona-n, që u mbyll në shifrat 2-2. Atëherë Clement Lenglet-i linte lojën për shkak të kartonit të kuq.

Gil Manzano ishte gjyqtari më i ri spanjoll që merrte stemën e FIFA, vetëm 29-vjeç. Që nga ajo kohë ai ka arbitruar 13 ndeshje në Europa Ligë, nëntë në Ligën e Kampionëve, tre në kualifikueset e Kupës së Botës 2018, katër në kualifikueset e Euro 2020 dhe tre në Ligën e Kombeve të UEFA.

Gjithashtu ai ka drejtuar edhe ndeshjen e Superligës greke, mes PAOK-ut të Selanikut dhe Olympiakos-it, në shkurt të 2019.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore