Sport

Kush është i radhës… David Nikolli lë Shqipërinë


Shqipëria, ndonëse vend i vogël, është një burim talentesh në sport.

Por, pavarësisht numrit të tyre dhe disiplinave ku marrin pjesë, ka një problem madhor. Menaxhimi dhe dhënia e meritave për më të mirët.

Sot, përsëri fokusi i Albanian Post ka qenë tek atletika.

Shqipëria ka disa klube atletike dhe mbase nuk është e aftë Federata Shqiptare e Atletikës (FSHA) që të shpërndajë fonde aq sa duhet.

Por, minimumi që duhet të bëjë FSHA është t’i respektojë aq sa duhet talentet që përfaqësojnë dhe nderojnë ngjyrat kuq e zi.

Një tjetër atlet, la Shqipërinë, pasi e kishte përfaqësuar denjësisht për tre vite, duke sjellë edhe pesë medalje nga kampionatet ballkanike dhe duke realizuar shtatë rekorde kombëtare.

David Nikolli, atleti i talentuar nga Lezha, që jeton në Itali, kishte ëndërr dhe dëshirë të përfaqësonte Shqipërinë. E realizoi. Por, ajo që mori në këmbim ishte diçka që nuk e priste kurrë.

Nikolli, tashmë zyrtarisht, ka bërë të ditur se nuk do ta përfaqësojë më Shqipërinë. Dhe arsyet se pse, i ka dhënë nëpërmjet një statusi në median sociale.

“Sapo kam dhënë dorëheqje për të përfaqësuar Shqipërinë në çdo lloj gare. Duke vazhduar nga Kampionati Evropian i muajt që vjen”.

“Në këto tre vite sport kam përfaqësuar Shqipërinë gjashtë herë dhe kam sjellë pesë medalje, Ballkanike. Kam realizuar shtatë rekorde kombëtare duke i përmirësuar 18 herë”.

“Jam kampion Italie i klubeve dhe vend i dytë po i klubeve. Gjithashtu vend i tretë në kampionatin italian”.

“Është hera e parë që Shqipëria ka një atlet në vrapim që është pretendent për arritje në Kampionat Evropian. Dhe një nga pretendentët kryesorë që mund të arrijë normën e lojërave Olimpike që zhvillohen në Tokyo, Japoni në muajin korrik”.

“Duhet respekt për djersën dhe mundin që derdhin sportistët, për arritjet që ata kanë dhe të respektohen të drejtat e tyre”.

“Nuk përdoren federata dhe institucionet e sportit si pronë private nga disa persona që nuk kanë lidhje me sportin. Por, pas zhgënjimeve të herëpashershme detyrohem të them stop”, përfundoi Nikolli.

Këto ishin arsyet që Nikolli tha në statusin e tij. Edhe më herët, Albanian Post ka sjellë raste ku sportistë të ndryshëm kanë dhënë dorëheqjen nga sporti.

Duket se kjo situatë do të vazhojë, pasi dora e ndryshimit nuk po duket në horizont. E se sa do të vazhdojë, mbetet për t’u parë. Por, një gjë është e sigurt, që do të vazhdojë deri në momentin kur do të ketë “jepi Çezarit atë që i takon Çezarit”…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore