Lajme

Kush është Goran Rakiç, ky njeri kaq i fuqishëm që Albin Kurti s’guxon ta shkarkojë?


Goran Rakiç duke “ruajtur paqen” mes barrikadave në Veri

Këngët e xhandarmërisë serbe se “po nisemi drejt Kosovës”, në prani të Aleksandër Vuçiç-it, nuk kanë qenë më të zëshme këtë të mërkurë 13 tetori sesa ato që ka thënë një ministër i Qeverisë së Kosovës – Goran Rakiç.

Rakiç bërtiti se sot është derdhur gjak serbësh mbi xhamat e thyera, duke marrë kështu në referencë atë që njihet si “Kristallnacht”, apo “Nata e xhamave të thyer”.

Kristallnacht është një nga ngjarjet më tragjike që njeh koha moderne, kur paramilitarë e civilë gjermanë nazistë vranë e shkatërruan në masë hebrenjtë më 9-10 nëntor të vitit 1938.

Pogromi kishte lënë shumë të vdekur e gjithçka të shkatërruar dhe kur kishte rënë nata, shkatërrimi reflektohej në xhamat e thyera të çdo objekti të mundshëm.

Këtë referencë historike përdori Goran Rakiç sot. Për ju që nuk e njihni këtë ministër të Qeverisë, është ai që, kur kryeministrit Albin Kurti iu kërkua ta shkarkonte për pjesëmarrjen e tij mes huliganësh që bllokuan rrugën në Veri – kryeministri tha “Jo!”

“Jo”, sepse – në fjalët e Kurtit – ai po ruante situatën që të mos eskalonte. Rakiç është i mirë këtu, me një fjalë pati deklaruar Kurti.

Jo se do ta besonte, por ia kishte thënë edhe vetë Rakiçi rolin e tij pozitiv.

“Me atë çfarë di unë dhe çfarë më ka thënë ai, ai është kujdesur që situata të mos tensionohet”, është citati i Kurtit në konferencë për media, pasi u pyet se çfarë pret që nuk e shkarkon.

“Nuk do të marr ndonjë masë ndaj tij”, kishte shtuar shkurt.

Po sot?

Sot, a është i mirë Rakiç? Sot, që jo veç me shqiptarët, por ishte i tensionuar edhe me vetë Vuçiç-in, që nuk po reagon?

“Herën tjetër vetë do të bëjmë rezistencë dhe do të mbrohemi”, i tha ai Vuçiç-it në një mbledhje urgjente në Rashkë të Serbisë, afër kufirit me Kosovën.

“Nëse diçka ndodh herën tjetër, ne do të kemi rezistencë të përgjithshme. Çfarëdo që të thotë kjo dhe sido që ta kuptoni. Ne do të mbrohemi me gjithçka dhe të gjithë në dispozicion”.

Edhe para takimit me Vuçiç-in, ministri i Kosovës, apo siç do ta quante Kurti “paqeruajtësi”, u shpreh shumë i revoltuar.

“Kjo, për neve, është çështje jetë a vdekje!”.

Për të gjithë këtë tensionim dhe tërë këto deklarata, askush nga Qeveria nuk është deklaruar. Askush nuk e thotë asnjë fjalë për mallkimet e ministrit, gjuhën e urrejtjes e nxitjen që po u bën serbëve në Veri.

Ai – në këtë situatë krejt absurde – gjen normalitet veç në Qeverinë e Kosovës. Ndërsa shefi i tij, shefi formal i tij, nuk guxon, ose nuk do, që ta shkarkojë.

Për ta shkarkuar një tjetër ish-ministër serb, Aleksandër Jabllanoviç, vetë Kurti, atëherë në opozitë, kishte organizuar një nga protestat më masive në Kosovë.

Si për ironi, atëkohë ishte lënduar rëndë edhe komandanti i policisë, Besart Ahmeti, i cili u lënda edhe sot, veçse sot nga serbët në Veri të Mitrovicës.

Bashkë me të u lënduan edhe pesë policë të tjerë. Dikush, nga ata që kishte organizuar Rakiç, hodhi granatë dore mbi policinë.

Pjesa tjetër e turmës së Rakiç-it iu vërsul policëve me çka kishin, derisa bllokuan edhe rrugën dhe gazetarët që përcillnin ngjarjen u desh të iknin, sepse s’u kursyen nga mjetet shpërthyese në drejtim të tyre.

Por, as e gjithë kjo nuk ka mjaftuar që të rishqyrtohet pozicioni i Rakiç-it në Qeverinë e Kosovës.

Atij, as vërejtje nuk i ka bërë kush. S’është përmendur fare.

Dikush, mirë do të ishte vetë kryeministri, të na japë një përgjigje. Përse nuk po e shkarkon Goran Rakiç-in? Çfarë tjetër duhet të bëjë ai? Ose të paktën, nëse nuk mundet dot ta shkarkojë, le të tregojë përse nuk po guxon ta bëjë?

Por, kjo nuk tolerohet!

Ose ta gjejë Albin Kurti guximin për ta shkarkuar, ose të na tregojë se nga buron kjo frikë e tij dhe populli që e ka votuar ia bën disi e i ndihmon në këtë moment të qyqarllëkut politik e kombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore