Sport

Kush e meritonte Topin e Artë? Flasin trajnerët shqiptarë


Topi i Arte

Lionel Messi u shpall fituesi i Topit të Artë për vitin 2021, duke fituar këtë çmim për herë të shtatë në karrierën e tij.

Në gala mbrëmjen e mbajtur në Paris, Messi kishte konkurrent kryesor sulmuesin e Bayern Munich-ut, Robert Lewandowski-n, të cilin e la prapa me 33 pikë.

Shumë figura të njohura të futbollit botëror diskutuan këtë ngjarje, duke ngritur pyetjen se a meritoi Messi këtë çmim, apo jo?

Lidhur me këtë gjë, dhanë opinionin e tyre për Albanian Post edhe trajnerët e njohur të futbollit në Kosovë, Bylbyl Sokoli dhe Afrim Tovërlani.

Për Bylbyl Sokolin, triumfi i Messi-it në këtë çmim individual ishte i merituar, por ai thekson se edhe Lewandowski mund ta fitonte.

“Mendoj se me plot merita Messi e fitoi Topin e Artë. Ai është futbollisti më i mirë në botë. Ka luajtur në nivele të larta. Mendoj që triumfi në Kupën e Amerikës së jugut me Argjentinën, ishte vendimtar që ai të ngrejë lartë këtë trofe për herë të shtatë”, tha Bylbyl Sokoli për AP.

“Por, edhe po të fitonte Lewandowski, nuk do të ishte ndonjë padrejtësi, pasi që edhe ai ka pasur paraqitje mjaft të mira me klubin e tij”, shtoi Bylbyl Sokoli.

Thuajse njëjtë sikurse Sokoli, mendon edhe trajneri tjetër i futbollit kosovar, Afrim Tovërlani.

“Mendoj që Messi e meritoi Topin e Artë. Ai ndoshta nuk pati ndeshje më të mira se Lewandowski në Evropë, por e fitoi Kupën e Amerikës së Jugut, që është një garë shumë e fortë”, theksoi fillimisht Afrim Tovërlani për AP.

Tovërlani shoti se gjithmonë ka diskutime në ndarjen e çmimit të Topit të Artë, por sipas atij Messi e meritoi plotësisht këtë trofe.

“Jo vetëm kësaj here, por gjithmonë ka pasur kontestime kur është puna e ndarjes së çmimit. Por, edhe po të shpallej Lewandowski fitues, do të ishte plotësisht e merituar. Megjithatë Messi mbetet futbollisti më i mirë në historinë e futbollit”, tha Afrim Tovërlani.

Kujtojmë që Messi këtë vit ka shënuar 47 gola dhe ka arritur 14 asistime, duke fituar Kupën e Mbretit me Barcelonën dhe Kupën e Amerikës së Jugut me kombëtaren e Argjentinës.

Messi fitoi për herë të shtatë këtë trofe individual, duke lënë prapa ndjekësin më të afërt të tij, Cristiano Ronaldo-n me pesë sosh.

34 vjeçari tani është pjesë e skuadrës së Paris Saint Germain, i cili nuk kishte një fillim edhe aq të mirë në kampionatin francez.

Argjentinasi deri më tani ka shënuar katër gola dhe ka dhuruar tre asistime në 11 ndeshje në të gjitha garat me PSG-në.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore