Lajme

Kusari-Lila thotë se akoma nuk ekziston një konfirmim zyrtar për kushtin e ri për vizat, AAK-ja kërkon veprime institucionale


Mimoza Kusari Lila dhe Besnik Tahiri.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë është pyetur lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kusari-Lila, u shpreh se nuk mund të deklarohet për shkak se akoma nuk ka konfirmim zyrtar.

“Në fakt në momentin kur ende nuk ekziston një konfirmim zyrtar i kërkesave që janë për Kosovën apo kushteve teknike siç janë quajtur unë do të kufizohem në dhënien e një përgjigje definitive në këtë fushë. Unë besoj që ky është një proces ashtu siç është thënë shumë herë deri në këto momente”.

Ajo ka theksuar edhe një herë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave.

“Tashmë është caktuar një datë kur vendet të cilat kanë propozuar ose kanë diskutuar për çështjet që duan t’i ngrisin në raport me liberalizimin e vizave janë kërkuar që ato të dorëzohen me shkrim. Në këtë proces gjithashtu nuk ka asnjë dyshim që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave”, deklaroi Kusari Lila.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila.

Teksa, bëri të ditur se në mbledhje janë dakorduar të bëjnë përmbylljen e pikave të cilat nuk kanë përfunduar që nga muaji gusht.

Gjithashtu në seancën e të premtës të përfshihen edhe pesë marrëveshje ndërkombëtare.

“U dakorduam dhe biseduam shefet e grupeve parlamentare në raport me dinamikën e seancës së sotme dhe vazhdimin e pikave të pa për përmbyllura të seancave të mëhershme. Sot jemi dakorduar bashkë me shefat e grupeve parlamentare nga partitë opozitare që të përfshihen edhe 5 marrëveshje ndërkombëtare të cilat janë shtyrë për shkak të mungesës së kuorumit”.

“Te pesë marrëveshjet janë ato mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian”.

Pas konferencës së Kusarit-Lila, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kërkuar që të ketë veprime institucionale për kushtin e ri për vizat.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri,

“Është e pakuptime që Kuvendi dhe Qeveria të mos kenë një komunikim zyrtar të kërkojnë nga institucionet përgjegjëse, pse po bëhet ky diskriminim ndaj qytetarëve të Kosovës. Dje u vendos edhe një kusht nesër do të del edhe një tjetër shtet dhe do të vendos edhe një kusht, ky trajtim jodinjetoz i Kosovës duhet të ndalohet”, deklaroi Tahiri.

“Kjo duhet të ndodhë nga Kuvendi. Kryetari i Kuvendit duhet ta adresojë një letër dhe kryeministri duhet të flasë”.

Ndryshe Bashkimi Evropian ka planifikuar që vitin e ardhshëm, përkatësisht nga muaji maj, të vendosë në fuqi masën “European Travel Information and Authorization System (ETIAS), që vendet që gëzojnë udhëtim të lirë pa regjim vizash, t’i nënshtrohen një procedure paraprake autorizuese për të hyrë në BE.

Në mesin e këtyre vendeve që do t’i nënshtrohen kësaj procedure autorizuese, janë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës e cila edhe ashtu nuk mund të udhëtojë lirshëm në Evropë, pa u pajisur së pari me vizë.

Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja e Hercegovina, preken nga kjo masë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore