Lajme

Kusari-Lila për Tahirin: Flet me teori konspirative


Mimoza Kusari-Lila dhe Abelard Tahiri

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, në një konferencë për media, i ka quajtur teori konspirative, pretendimet e Shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, pasi ky i fundit një ditë më parë kishte deklaruar se gjatë muajve shkurt, mars dhe prill, Kosova më shumë ka eksportuar sesa ka importuar energji elektrike, duke ngritur dilema për fatin e 125 milionë eurove të ndara nga Qeveria për të subvencionuar importin.

Sipas Kusari-Lila, Tahiri, sikur do të ishte i interesuar me të vërtetët për informacione të sakta do të ishte prezent në komisionin për ekonomi, dhe gjatë raportimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

“Tahiri nuk ka qenë prezentë në Komisionin për Ekonomi për dy muajt e fundit, ku në mesin e diskutimeve ishte edhe çështja e importit të energjisë, Tahiri ka munguar gjithashtu edhe gjatë raportimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e cila u mbajt dje”, ka thënë Kusari-Lila.

Për Kusari-Lilan nuk duhet të krijohen drama të tilla apo skenarë të ndryshëm se dikush po mundohet të fshehë diçka, pasi që informacionet janë të sakta dhe të hapura.

“Të mos abuzojnë me informata, informatat janë të sakta dhe janë të qasshme dhe transparente. Është gjithashtu informacion i hapur fakti se nuk ka pasur në Kosovë import të energjisë elektrike nga Serbia njëjtë sikur që piku më i lartë i importit të energjisë elektrike nga Serbia ka qenë në vitin 2017”, ka shtuar ajo.

Ajo madje gjatë fjalimit të saj ka qartësuar edhe çështjen e importit të energjisë elektrike duke u kundërpërgjigjur kështu pretendimeve të Tahirit.

“Nga dhjetori i vitit 2020 Kosova është në bllok rregullues energjetik me Shqipërinë dhe si hakmarrje Serbia ka mbyllur qarkullimin elektro-energjetik me Kosovën dhe çdo import i energjisë elektrike që nuk e shfrytëzon këtë autostradë energjetike ngarkohet me tarifa më të larta për arsye se Serbia ka bllokuar autostradën energjetike për Kosovën, prandaj nuk ka nevojë për teori konspirative, dhe skenarët të cilat vetë PDK po i ndërton”, ka shtuar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore