Lajme

Kusari-Lila, opozitës: Nuk rrënohet shteti pse ke humbur pushtetin


Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas komunikatës së lëshuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në të cilën kundërshtohet fuqishëm ideja për dhënien e Trustit dhe nuk rekomandohet kthimi i tarifave të vjetra të rrymës, ka thënë se opozita është rreshtuar pas ideve populliste.

Ajo përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, është shprehur se këto ide qojnë në shkatërrim financiar të shtetit.

“Udhëheqësit opozitarë bashkë me ekonomistët që i mbështesin ata akuzojnë pozitën për vendime populiste, përderisa vetë nuk bëjnë asgjë më shumë se të rreshtohen pas ideve/propozimeve populiste dhe destruktive për ekonominë e vendit deri në shkatërrim financiar të shtetit”, ka thënë Kusari-Lila.

Sipas saj, kjo tregonë edhe paaftësinë e të menduarit.

“Nuk rrënohet shteti pse ke humbur pushtetin. Kjo logjikë tregon shumë qartë paaftësinë për të menduar propozime që ndihmojnë qytetarin dhe nuk rrënojnë shtetin. Kjo nuk është ekonomi, është mendësi sot për nesër”, ka shkruar Kusari-Lila.

Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ajo tutje është shprehur se një raport i tillë tregon se sa serioze është situata.

“Reagimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar lidhur me propozimin e PDK-së, mbështetur nga LDK, AAK dhe Lista Serbe për tërheqjen e 30% të Trustit si dhe procesin gjyqësor për anulimit të tarifave të energjisë, sipas këtij institucioni të rëndësishëm financiar, tregon seriozitetin e situatës”.

“Përfshirë rrezikimin e sistemit financiar dhe rregullativ në Kosovë, si dhe është dëshmi sa popullist dhe destruktiv është propozimi i partive të opozitës”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), ka dalur kundër iniciativës për tërheqjen e 30 për qind të kursimeve nga Trusti dhe kthimin e tarifave të rrymës, siç kanë qenë para shtrenjtimit.

FMN-ja ka shprehur kundërshtimet e forta edhe për tërheqjet shtesë nga fondi i kursimeve pensionale.

“Gjithashtu, këto tërheqje do të përktheheshin në ngjeshje të madhe të tregjeve vendore të kapitalit, duke kompromentuar seriozisht financimin buxhetor dhe qëndrueshmërinë e borxhit”, thuhet në komunikatë.

FMN-ja, ka konsideruar se rritja e tarifave të energjisë elektrike në muajin shkurt për të reflektuar faturën më të madhe të importit të energjisë elektrike, së bashku me zbatimin e subvencioneve të energjisë elektrike për rreth 20 për qind të ekonomive familjare, ishin lëvizje të duhura të politikave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore